Familjarët e minoritarit grek Kostandino Kacifas janë nisur tashmë drejt Tiranës për të tërhequr trupin e 35-vjeçarit i cili mbeti i vrarë në përplasjen mes tij dhe forcave speciale RENEA, në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dhënë “dritën jeshile” familjarëve të 35-vjeçarit për të marrë trupin, që më pas të kryhet dhe ceremonia mortore.

Ekspertët e mjekësisë ligjore kryen një autopsi të thelluar mbi trupin e pajetë të Kacifas duke nisur që nga java e kaluar, një veprim që u prit me mjaft kontestime nga ana e familjarëve të cilët kërkuar një ekspertizë nga mjekë grekë.

Deri më tani ende nuk kanë dalë detajet e plota të ekspertizës së trupit të Kacifas. Pritet që rezultatet të dalin së shpejti, këtë mbrëmje ose ditën e nesërme.

Nga ana tjetër media greke shkruan se për varrimin e Kacifas pritet të vijnë mijëra grekë në ceremoninë mortore, e cila sipas gjasave do të mbahet pikërisht në Bularat, vendin dhe ku ka jetuar 35-vjeçari.