Tatimorët e Durrësit do të kërkojnë që familjarët në zonën e Plazhit të cilët do të strehojnë pushues në sezonin e verës të paguajnë një sasi parash për llogari të arkës së shtetit. Për herë të parë kjo taksë pritet të nisë në verën e këtij viti ndërsa projekti është përpiluar vitin e kaluar. Krerë të tatimeve e taksave në Durrës kanë thënë se deri më tani inspektorët e tij pasi kanë vëzhguar në terren në periudhën korrik-gusht kanë mundur të identifikojnë rreth 450 persona të cilët kanë dalë në anë të rrugëve të Plazhit në pritje të pushuesve kosovarë apo edhe të pushuesve që vinë nga rrethet e ndryshme të vendit për t’i strehuar përkohësisht në familje. Ky numër është cilësuar nga tatimorët si biznes dhe në raste të tilla është kërkuar që për çdo shtrat të zënë me pushues familjarët të paguajnë një euro.
Vetëm në Plazhin e Durrësit mendohet se janë rreth 2500-3000 apartamente të cilat në sezon vere afrohen tërësisht për pushues kosovarë apo vendës dhe në secilin apartament ka mesatarisht 5-6 shtretër, ndërkohë që ka edhe banesa që afrojnë mbi 10 shtretër. Kërkesa e tatimorëve është bërë para institucionit të prefektit në të mbyllur të sezonit të verës së vitit të sapombyllur në kohën që prefektura ka diskutuar edhe për ecurinë e sezonit veror. Me veprimin e nisur gjashtë muaj më parë si dhe me kohën e mbetur prej gjashtë muajsh deri në fillimin e sezonit të ri të ardhjes së fluksit të pushuesve, tatimorët synojnë të ndërgjegjësojnë opinionin lidhur me këtë projekt të tyre. Qyteti bregdetar i Durrësit në pikun e plazhit ka të akomoduar në apartamente, hotele, motele dhe banesa familjare të dhëna me qira deri në 100 mijë pushues kryesisht nga Kosova, Maqedonia dhe qytetet e largëta të vendit, të cilët e kanë të pamundur ose jokomod kthimin në mbrëmje në strehën e tyre. Pagesa në një euro për pushues pritet të prekë jo vetëm hotelet dhe komplekset turistike por edhe qytetarët të cilët vënë në shërbim të pushuesve apartamentet e tyre.
Tatimorët janë shprehur se do të inspektojnë që tani në janar e në vijim të gjitha hotelet për të parë realisht kapacitetet e akomodimit të pushuesve, ndërsa thuhet se më pas do të rakordojnë edhe të dhënat e deklaruara në sezonet e kaluara verore për numrin e shtretërve të zënë me pushues. Ata kanë bërë të ditur se do të ndëshkohet punonjësi a punonjësja në recepsion nëse rezulton që raportimet do të bëhen subjektive. Kjo gjobë është caktuar dhe do të jetë deri në 30 mijë lekë, gjobë e cila do t’i adresohet pronarit të hotelit. Përsëritja e të njëjtit gabim do të shoqërohet me të tjera masa ndëshkuese që do të pasojnë deri në vendosen nën shirit të aktivitetit. Durrësi dhe veçanërisht Plazhi është kthyer në një fabrikë punësimi pasi mendohet se më shumë se 2000 persona punësohen sezonalisht për një periudhë mesatarisht tremujore.
Në dallim nga vitet e tjera sezoni verës së vitit 2011 është shoqëruar me inspektime të vazhdueshme nga ana e tatimorëve dhe departamenti pranë degës në Durrës. Objekt kanë qenë kryesisht lokale të palicencuara të cilat krahas shmangies nga detyrimet tatimore kanë rezultuar me probleme që kanë të bëjnë me standardet e produkteve dhe mallrave që tregtojnë. Duke qenë aktivitete të palicencuara, furnizimi dhe tregtimi nuk kalojnë përmes faturave legale dhe kjo e ndërlikon më tej ushtrimin e kontrollit cilësor. Tatimorët, ndryshe nga vitet e mëparshme, në sezonin e verës së kaluar kanë inspektuar në bllok së bashku me epidemiologjinë dhe shëndetin publik duke ushtruar kështu kontroll jo vetëm për licencën por edhe për faturën e origjinës së mallit, kushtet e higjienës, librezën e shëndetit për të gjitha punonjësit, rrjetin e sistemin e ujit të pijshëm, kushtet e kuzhinës etj. Sipas tatimorëve kjo ka bërë të mundur edhe disiplinimin e shumë bizneseve të cilët kanë mësuar për ndëshkimet ligjore ndaj atyre lokaleve që nuk kanë përmbushur standardet.
Tatimorët edhe këtë vit kanë gati projektet për të realizuar inspektime të përbashkëta dhe të programuara me shërbimin e higjienës dhe epidemiologjisë. Edhe pse tatimorët janë optimistë për sa kanë programuar të fitojnë në arkën e tyre nga tatimi për çdo shtrat të shfrytëzuar nga pushuesit, e ardhmja do të tregojë se si do të funksionojë. Specialistë të tatimeve e taksave do të nisin me ndërgjegjësimin e familjeve që afrojnë banesa sezonale me qira për të shkuar më tej tek kriteret që do të përcaktojnë mënyrën e vjeljes së taksës. Ata janë të bindur se shumë hotele i janë shmangur raportimit real të shifrave të mjediseve të shfrytëzuara, duke mos dhënë përgjithësisht numrin e shtretërve të vënë në shërbim të sezonit të verës. Me nisjen e këtij viti, pritet që grupe inspektorësh të dalin në terren nga ku do të vëzhgojnë për të nisur më pas operimet.