Zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka folur për situatën e koronavirusit në Shqipëri, teksa ishte e ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan. Sipas saj, situata nëpër spitalet Covid është nën kontroll dhe familjarët e pacientëve njoftohen për gjendjen e tyre nga mjekët. Madje në Spitalin Infektiv, pacientët janë të pajisur me telefona dhe infermierët e mjekët me tableta.
Mirela Milori: Ndoshta një koordinim më i mirë më familjarët, kane panik, merak dhe duhet ta kuptojmë raportin me familjarët as për t’i penalizuar apo gjykuar dhe kur janë të nervozuar sepse kanë njeriun e tyre brenda. Mos të kontaktosh me ta për gjysmë orë dhe shqetësohesh, jo më të mos kesh kontakt për 24 orë. Ka nevojë për përmirësim në koordinimin e tyre?
Mira Rakacolli: Komunikimi me familjarët është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe organizimi i komunikimit familjar është prioritet. Unë e kuptoj dhe e ndjej shumë mirë merakun e familjarit sidomos kur rasti në spital është shumë i rëndë dhe mendon se do ketë ndryshime edhe në orë, por informacioni është i organizuar që jepet të paktën një herë në ditë, mjeku komunikon gjithmonë me familjarët, përveç kësaj është organizuar edhe një pjesë koordinimi tek Spitali Infektiv dhe të gjithë pacientët janë me celularët, mjekët dhe infermierët janë me tabletat dhe komunikimi me familjarët për gjendjen e pacientit është i organizuar.
Duhet të kemi parasysh që mjekët dhe infermierët që punojnë aty nuk mund të japin në çdo moment informacion sepse janë duke punuar. Në momentin që jep informacionin ti lë punën, pra organizuar në mënyrë të tillë që ata janë gjithmonë të informuar dhe nëse pacienti rëndohet, familjari lajmërohet menjëherë. Aq më tepër ata kanë mundësi të komunikojnë me njerëzit e tyre me anë të celularëve që i kanë.