2 ditë pasi Astrit Hysenaj, punonjës i Komunales Plazh, u gjet i mbytur në kanalin e ujërave të larta në zonën e Plepave në Durrës, një familjar i të ndjerit ka deklaruar se ai ka rënë në krye të detyrës.

Shtetasi Osman Hysenaj, kushëri me viktimën, ka deklaruar këtë të shtunë se falë filmimeve të kamerave të sigurisë që familja e të ndjerit disponon dhe me anë të të cilave u lokalizua se ku ka qenë ai në datë 6 janar (kur edhe humbi) shihet se 55-vjeçari ka qenë duke mbledhur letrat sipër ujit, në kushte që sipas familjarit të rallë janë ata që mund ta bëjnë.

“Deri në orën 08.25 të së martës (6 janar) ka qenë duke punuar, duke mbledhur letrat në ujë. Pas kësaj ore ne nuk kemi asnjë lloj informacioni. Ne mendojmë se e ka marë rrjedha e ujit”,- thotë Osman Hysenaj.

Astrit Hysenaj la pas nënën e moshuar, gruan dhe djalin e papunë.

Në një njoftim për mediat, bashkia Durrës, ndërsa sqaroi rrethanat e ngjarjes së zhdukjes së 55-vjeçarit që u gjet i mbytur shkruante:

“Më datë 6 janar 2026, ai është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, moment në të cilin është larguar nga ambientet e punës.

Rreth orës 16:00 të së njëjtës ditë, familjarët e z. Hysenaj kanë kontaktuar përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion, pasi ai nuk ishte kthyer në banesë. Përgjegjësi i ndërmarrjes i ka informuar familjarët se punonjësi ishte larguar nga puna rreth orës 10:30.

Pas këtij komunikimi, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit, e cila ka nisur procedurat përkatëse për rastin.