26 gusht 2013- Ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre që do ulen në bankat e shkollës në 16 shtator, ata nuk do të kalojnë pragun e banesave të tyre. Janë rreth 600 fëmijë të ngujuar nga gjakmarrja të cilët edhe këtë vit shkollor, nuk do të mundin dot të ndjekin arsimin edhe pse dëshira e tyre mund të jetë shumë e madhe. Vitet e fundit po vihet re një numër gjithnjë e më i madh e familjeve në gjak të cilat po zhvendosen në qytete të mëdha , si Tirana, Durrësi apo Shkodra. Në fund të vitit 2012 ishin rreth 900 fëmijë të ngujuar, por falë grupeve të pajtimit numri i tyre është ulur në 600.

Sipas drejtuesve të Komitetit të Pajtimit mbarëkombëtare në Tiranë ka mbi 110 familje të ngujuara të cilat nuk mund ti çojnë fëmijët në shkollë. Për fëmijët e ngujuar, Ministria e Arsimit ka aplikuar një projekt duke i zhvilluar disa lëndë mësimore këtyre fëmijëve nëpërmjet mësuesve që shkonin në banesat e tyre. Por kjo sipas misionarëve të pajtimit, është një hap i dështuar. Ata i bëjnë thirrje qeverisë së re, që hartojë masa të reja dhe më konkrete. “ Këto janë projekte të dështuara sepse nuk kanë dhënë ndonjë kontribut te këto fëmijë se stresi dhe problemet që ata kanë nuk i lejon ta kalojnë këtë traumë”, janë shprehur drejtuesit e Komunitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar.

/panorama/