Fanellat e reja të Kombëtares, të personalizuara për pjesëmarrjen në Euro 2016 janë gati. Në Federatën Shqiptare të Futbollit të gjithë e kanë vlerësuar cilësinë e uniformës së prodhuar nga Macron, me dezajn unik ku spikasin elementët kombëtarë. Kjo konfirmohet edhe nga Drejtori i Marketingut të FSHF-së, Gazmend Malo.

“Është hera e parë që e prekim me dorë këtë produkt dhe duhet thënë që i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë tonë. Një projekt i realizuar bukur nga ana grafike, i realizuar bukur në detaje, cilësi dhe aplikimin e logove. Ky ishte qëllimi i këtij projekti, ne donim një fanellë të veçantë unike, jo në bluzë katalogu, një bluzë vetëm sa për të luajtur, por një bluzë që të na përfaqësonte denjësisht. Një produkt i dedikuar, me simbolet kombëtare, me ngjyrat tona të përfaqësuara denjësisht si flamuri ynë. Kemi shqiponjën në kraharor, e kemi të përsëritur në logon e federatës, aty ku futbollistët vendosin dorën në zemër gjatë këndimit të himnit, kemi etiketën me dedikim “Ti Shqipëri me jep nder”. 

Zyrtari i federatës, zbuloi edhe atë që është edhe objektivi i fanellës gjatë pjesëmarrjes në evenimentin në Francë. “Kjo është marka jonë për Europianin, është marka që na përfaqëson denjësisht të gjithëve. Çfarë më mirë mund të na përfaqësonte sesa flamuri ynë dhe vargjet e Naim Frashërit. Jemi mes 24 protagonistëve të një maksi-eventi dhe duam të jemi mes kandidatëve për fanellën më të bukur në Francë. 

Kjo është një bluzë që do të jetë e disponueshme në treg për një periudhë të kufizuar kohe, që e quajmë sezoni i Europianit. Kemi bërë maksimumin që kjo fanellë të jetë e disponueshme për të gjithë, edhe në prerjet femërore, por edhe për fëmijët dhe që do të ketë vlera simbolike dhe historike”.

Cilësia maksimale, personalizimi dhe fakti që fanellat të cilat do të shiten në dyqan janë njësoj si ato të lojtarëve në fushën e lojës kanë ndikuar jo pak te çmimi.

“Ky është një produkt i veçantë, në të gjitha anët, përfshirë edhe atë të realizimit cilësor. Nga kompania Macron përmban siglën e cilësisë maksimale. Produkti do të ofrohet në treg ashtu siç është: të njëjtën bluzë që do të veshin lojtarët do të blejnë dhe ta veshin tifozët. Kushtëzohemi në çmim nisur nga cilësia e lartë dhe personalizimi me detaje të panumërta që ia rrisin koston. Në çmimin në faqen tonë zyrtare përfshihet edhe çmimi i dërgimit për tifozët. Kjo ka kosto jo të vogël që mund të jetë 20-25 për qind e çmimit të produktit. Në një moment të dytë do të kemi personalizimin, në një të tretë do të vendosim çmime për paketa që mund të jenë komplete, kapele apo aksesorë të tjerë. Është një seri produktesh dhe çmimesh”.

Nga e enjtja tifozët do të mund t’i blejnë fanellat e reja në dyqanin e sponsorit të Kombëtares.“Bluzat do të jenë të disponueshme fizikisht në dyqanin zyrtar të sponsorit tonë në Tiranë. Ne po punojmë që të hapim edhe një dyqan zyrtar të federatës, ku do të shiten vetëm produktet e Kombëtareve tona, pra jo vetëm për fanellat e lojës, por edhe produkte të tjera”.

Drejtori i Marketingut në Federatën e Futbollit foli edhe për rrezikun e produkteve fallco, duke bërë apel që tifozët të tregojnë kujdes. “I ftoj tifozët t’i blejnë fanellat vetëm në pikat e shitjes zyrtare. Ky është një produkt i pafallcifikueshëm, që ka logon e autenticitetit, e cila është e veçantë dhe me reflekse. Gjithçka tjetër do të jetë një kopje e shëmtuar e saj”.