“Fantazi Futboll”, në këto vitet e fundit, është kthyer në hobin e preferuar të shumë tifozëve, të cilët transformohen çdo verë në drejtorë sportivë dhe gjatë sezoni, nga java në javë, ulen në një stol imagjinar me synimin për të hedhur në fushën e lojës 11 lojtarë që do t’i ndihmojnë ata të fitojnë kampionatet ku marrin pjesë ose sfidat me miqtë e tyre në kampionatet private.

Triumfe që sjellin lavdi, por jo vetëm, siç tregon historia e Alessandro Furnari-t, i zgjedhur në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit italian me partinë 5 Yje. Ai është një kampion i vërtetë në “Fantazi Futboll”.Historia e tij është treguar nga “La Repubblica”, që ka theksuar se si, në Parlament, Furnari shikohet shpesh duke mbajtur kokën ulur, teksa shkruan shifra dhe merr të dhëna mbi futbollistët.

“Kam fituar disa kampionate në Fantazi Futboll”, ka thënë ai. “Kam fituar çmime me vlerë qindra mijëra euro, jam një profesionist”. Në karrierën e tij si trajner virtual, ai ka koleksionuar dy makina, dhjetëra kompjuter, tv, tablet, celularë dhe lojëra elektronike. Tani ka vënë në shënjestër një Jaguar. Pasioni i Furnari-t është vënë re nga Pino Pisicchio, edhe ky pjesë e partisë së tij Gruppo Misto, ku Furnari ka aderuar pas largimit nga 5 Yjet: “Ndonjëherë ndodhte që nuk e shihnim në seanca gjatë javës, por më pas e kuptuam se kjo ndodhte kur në Serinë A luheshin ndeshjet e mesjavës”.

Mungesat e tij në seancat e Dhomës së Deputetëve, sipas “Open Polis”, arrijnë deri në 38% dhe një nga arsyet është pikërisht “Fantazi Futboll”: “Kur jam bërë pjesë e Parlamentit kam hequr dorë sepse nuk kisha kohë, por tani jam kthyer. Dhe këtë vit jam mes 10 më të mirëve të Italisë. E kam filluar në 2002-in dhe jam shpallur menjëherë kampion i vendit, dy herë në total. Herën e parë në 2003-in, kur kam fituar një makinë. Të dytën në 2007-n, në një mini turne prej gjashtë ndeshjesh: çmimi ishte një motor. Fitoj çmime çdo vit”, ka thënë ai.