DURRËS, 18 tetor 2014– Federata serbe e Futbollit është e bindur se Serbia jo vetëm që nuk do ta humbasë në tavolinë sfidën me Shqipërinë e ndërprerë në fund të pjesës së parë në stadiumin e Beogradit, por do ta luajë atë në një fushë neutrale.
Fantazia e kundërsharëve të kuqezinjve në Grupin I shkon deri aty sa edhe ndeshja e kthimit e programuar për t’u zhvilluar në Elbasan Arena, do të luhet në një fushë asnjanëse. Zëvendëspresidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Goran Milanovic, është i bindur se Serbia do të kulifikohet në finalet e euro 2016.
“Problemi është në anën e shqiptarëve. Jo sepse jam tifoz i Serbisë, por kështu është realiteti nëse analizon ngjarjet. Ata e nxitën kaosin me fluturake dhe flamur, ky është një akt klasik terrorist. Më reale do të ishte që ndeshja e ndërprerë të vazhdojë në një terren neutral. UEFA duhet të vendos në paketë, kur e them këtë mendoj që të dyja takimet me Shqipërinë duhet të zhvillohen në terren neutral. Duhet të fitojë futbolli, kjo është më e rëndësishmja. Federatat respektive nuk mund të zgjedhin se ku të luhet, sepse këtë duhet ta vendosë UEFA. Kjo do të thotë ne nuk mund të zgjedhin Banja Lukën e as ata Prishtinën”.
Çuditërisht, Milanovis gjen edhe anët pozitive të dhunës së ushtruar nga serbët në stadiumin e Beogradit.
"Kaosi i shkaktuar ka sjellë dicka të mirë. Lojtarët tanë, tifozët dhe i gjithë opinion publik në Serbi janë të gjithë të bashkuar. Kjo energji do të na ndihmojë jo vetëm për t’i fituar të dyja ndeshjet me Shqipërinë, por për të siguruar një vend në finalet e Euro 2016.”
Gjithsesi, në fund zëvendëspresidenti i federatës serbe bën përgjegjëse UEFA-n që nuk veproi me Serbinë dhe Shqipërinë si më Spanjën dhe Gjibraltarin apo Armeinë dhe Azerbajxhanin, që nuk u lejuan të shortoheshin në të njëjtin grup.