Tarik Cmajcanin do të jetë pjesë e Teutës sezonin e ardhshëm pasi ka nënshkruar me durrsakët. Fantazisti serb e kishte arritur akordin, si dhe i kishte bindur drejtuesit më aftësitë e tyre, dhe tashmë do të veshë fanellën e Teutës në sezonin e ri. Teuta ka rifilluar stërvitjet pas një dite pushim, por në stol ka qenë trajneri i ri Gentian Begeja.

Skuadra po merr formë dhe me grupin është bashkuar edhe portieri Shpëtim Moçka, i cili pritet të jetë pjesë e ekipit, edhe pse një gjë e tillë nuk është zyrtare. Po dje, nën urdhrat e trajnerit durrsak që mori detyrën dy ditë më parë, është vënë edhe mesfushori serbo-boshnjak Tarik Cmajcanin, i cili u testua me skuadrën gjatë fazës përgatitore që skuadra zhvilloi në Austri. Ai do të jetë pjesë e ekipit në kampionatin e ri, ndërsa më parë ka luajtur me ekipe si Nish në Serbi, apo Balestier Khalsa apo dhe FC Mika në kampionatin armen.

Serbo-boshnjaku ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Teutës, ndërsa shkurtimisht shprehet se është i lumtur për aventurën me durrsakët. “Për mua është një nder të jem pjesë e kësaj skuadre. Sapo kam ardhur këtu dhe ambienti është mikpritës dhe shpresoj të justifikoj besimin që po më japin”, ka thënë shkurtimisht mesfushori.