Inspektoriati i punës nuk deklaron asnjë shifër, ndërsa nuk ka aplikuar asnjë gjobë në rastet kur shkelet ligji
Ndërmarrjet fasone në Durrës kanë numrin më të lartë të grave të punësuara, ndërsa mbajnë vendin e parë për numrin më të madh të personave që edhe pse të punësuar nuk rezultojnë të regjistruar. Janë rreth 30 firma fasone që ushtrojnë aktivitetin në qarkun e Durrësit, të cilat kanë numrin më të madh të të punësuarve, kryesisht gra dhe vajza. Fasonët janë bërë objekt i kritikave të forta nga lëvizjet sindikaliste, pasi ka pasur raste të përsëritura në Durrës të punësimit në rrobaqepësi të minoreneve apo të konstatimit të kushteve tepër të papërshtatshme në punë. Një pjesë e këtyre kompanive me aktivitet në Durrës kanë mundur të krijojnë kushte të mira pune lidhur me ndriçimin, ajrosjen, higjenën, mjediset e vendosjes së garderobave, trajtimin shëndetësor etj. Por jo pak ndërmarrje fasone që ushtrojnë aktivitet prej disa vitesh vazhdojnë të mos garantojnë as kushtet më të domosdoshme.
Durrësi mendohet se mbulon afro 40 përqind të volumit të përgjithshëm të eksporteve fasone në nivel vendi, ndërkohë që 55 përqind të eksportit shqiptar e mbulojnë ato kompani që punojnë me material porositës. Ajo që ka shqetësuar sindikatën dhe që ka vënë në lëvizje inspektariatin e punës ka të bëjë me mënyrën e trajtimit të punëmarrësve si dhe punësimin e minoreneve. Edhe pse nuk ka shifra zyrtare thuhet se nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në këto ndërmarrje afro 5-7 përqind janë vajza nën moshën e pranuar për punë. Ky kontigjent i shtohet numrit të madh të grave dhe vajzave që nuk kanë asnjë kontratë pune me punëdhënësit. Lëvizja sindikaliste ka deklaruar se në Durrës janë të punësuara rreth 25 mijë gra e vajza në biznesin fason dhe se 3000-3500 prej tyre nuk kanë asnjë kontratë. Drejtues të këtyre ndërmarrjeve thuhet se jo rrallë herë kanë plotësuar formularë në mënyrë fiktive për të “bindur” të punësuarit se janë të siguruar, ndërsa kanë punuar me dy formate.
Nuk ka shifra se sa persona punojnë në punë të zezë
Përveç nënpunësve të administratës shtetërore, pothuajse të gjithë shqipëtarët punojnë në të zezë. Inspektoriati i punës pranë bashkisë së Durrësit nuk ka asnjë shifër përsa i përket të punësuarve në sektorin privat. Ashtu si shumë qytete të tjera në Shqipëri edhe qyteti bregdetar vuan fenomenin e punës së zezë, nga shumë kompani e subjekte private ligji i punës shkelet me të dyja këmbët. Megjithëse institucionet përkatëse për zbutjen e këtij fenomeni për vite me rradhë janë angazhuar nuk kanë arritur ta frenojnë atë duke mbetur në këtë mënyrë një problematikë madhore.
Sektori i ndërtimit, biznese të ndryshme si bar-restorantet dhe konfeksionet janë sektorët më të përfolur për fshehjen e numrit të të punësuarve në qytetin e Durrësit. Edhe pse prej kohësh me vendim të qeverisë janë ulur një sërë taksash për subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre, të cilët favorizojnë punësimin dhe sigurimin e punonjësve, drejtuesit e këtyre subjekteve preferojnë të mos vazhdojnë të deklarojnë numrin e të punësuarve në sektorë të ndryshëm. Ndryshe nga shumë institucione të tjera, inspektariati i punës në Durrës vazhdon të mos deklarojë asnjë shifër që ka të bëjë me numrin e të punësuarve në sektorin privat, pagat që ata marrin, pagesat e sigurimeve shoqërore, kushtet e punës, sigurimet shëndetsore etj. Edhe pse ligjërisht parashikohet gjobë deri në 500 mijë lekë për subjektet, të cilëve u gjenden të punësuar të pasiguruar dhe minorenë, deri tani ndëshkime të tilla nuk ka pasur.