Dy persona janë arrestuar në kryeqytet gjatë orëve të vona të natës pas dy orësh ndjekjeje nga policia. Mësohet se 50-vjeçari E.Z dhe 30-vjeçari E.T, po qarkullonin me një automjet të vjedhur dhe pasi janë ndaluar nga policia kanë tentuar të largohen por në tentativë kanë përplasur një makinë policie.
Autorët, njëri prej të cilëve ishte i shpallur në kërkim më parë për vjedhje në qytete të ndryshme të vendit, gjatë kontrollit u kapën në flagrancë me armë të ftohta dhe lëndë narkotike, të cilat policia i ka sekuestruar si bazë materiale se bashku me automjetin e vjedhur.
Njoftimi i Policisë:
Qarkullonin me një automjet të vjedhur, kapen në flagrancë me kokainë dhe armë të ftohtë në automjet dhe vihen në pranga 2 shtetas, të dyshuar si bashkëpunëtorë për vjedhje të ndryshme në disa qytete. Kapja e tyre, pas rreth 2 orësh ndjekje nga Policia, sepse drejtuesi i automjetit (shtetas në kërkim) nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar por në tentativë për t’u larguar përplasi një automjet policie.
Sekuestrohen automjeti i vjedhur, lënda narkotike dhe arma e ftohtë (thikë). Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me ata të Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Nr. 4, pas informacionit të marrë për një automjet të vjedhur në Elbasan kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Drejtuesi i automjetit, pasi ka parë Policinë, nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe në Babrru ka përplasur një automjet të Policisë, brenda të cilit ishin 2 punonjës police. Nga përplasja, janë dëmtuar lehtë 2 punonjësit e Policisë. 2 shtetasit që qarkullonin me automjetin e vjedhur janë neutralizuar dhe vënë në pranga nga punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe një armë të ftohtë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. Z., 50 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për disa vjedhje;
E. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Z., në bashkëpunim me shtetasin E. T., gjatë periudhës shkurt-prill 2025, ka kryer vjedhje të ndryshme në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shijak dhe Klos. Vijojnë hetimet për dokumentimin e veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.