E ardhmja e Karlo Ançelotit mund të vendoset në çështje orësh pas humbjes në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës 2-3. Sipas gazetës “Marca”, pasiguria rreth çështjes mund të zgjidhet shumë shpejt, me kohën që duhet për të zhvilluar një takim midis trajnerit italian dhe bordit të drejtorëve të Realit të Madridit, i formuar nga Hose Angel Sançez dhe presidenti Florentino Perez. Përkundër faktit që të dyja palët janë në marrëdhënie shumë të mira dhe duke përjashtuar një kthesë të papritur të ngjarjeve, ka shumë të ngjarë që Ançeloti të largohet menjëherë nga posti nëse pëson një tjetër humbje kundër Barcelonës së Hansi Flik.
Të dyja skuadrat do të përballen për herë të fundit këtë sezon më 11 maj, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 35-të në La Liga. Në rast se Reali fiton dhe në fund shpallet kampion i La Ligës, ndoshta ka një shpresë që trajneri italian ta mbajë punën e tij (të paktën deri në Kupën e Botës për Klube, e cila zhvillohet midis qershorit dhe korrikut). Por nëse kjo nuk ndodh atë e pret një destinacion i ri. Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) po e vazhdon presionin mbi trajnerin dhe një përfaqësues ka ndjekur drejtpërdrejt disa ndeshje të Real Madridit, përfshirë ndeshjen në shtëpi kundër Arsenalit dhe finalen e Kupës së Mbretit. Brazili është në pritje të nënshkrimit të një kontrate të re nga italiani sa më shpejt të jetë e mundur, duke i dhënë fund një përpjekjeje që ka zgjatur prej dy vitesh.