Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat nga Korça është pyetur për fatin e bosit të lojrave të fatit, Ervis Martinaj.

Balla tha se i qëndron të gjitha angazhimeve publike që ka marrë dhe se policia e shtetit po bën detyrën e saj 24 orë çdo ditë për t’i shkuar deri në fund çdo çështjeje të pazbardhur, përfshirë edhe çështjes së Martinajt.

Pyetje: Deri ku janë hetimet për sa i përket dosjes së Ervis Martinajt? Ju keni vënë, të paktën, disa afate për Policinë e Shtetit për të kthyer një përgjigje, por duket se këto afate ende nuk e kanë nxjerrë fatin e tij.

Ministri Balla: Unë i qëndroj bashkë me Drejtorin e Përgjithshëm, të gjitha angazhimeve publike që kemi marrë. Të jeni të sigurt që Policia e Shtetit e bën detyrën e saj, 24 orë, çdo ditë, edhe ndaj këtij angazhimi, për t’i shkuar deri në fund, jo vetëm kësaj çështjeje, por çdo çështjeje tjetër të pazbardhur. Pjesë e analizës sonë sot, me DVP Korçë, do të jenë edhe ngjarje të vjetra kriminale, në Korçë, të pazbuluara.