Problematikat e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Durrës nuk kanë të sosur. Kur po i afrohemi vitit të tretë pas lëkundjes sizmike, për shumë pallate është ende i paqartë fati i tyre, riforcim apo shembje.
Akt-ekspertiza që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe qytetarë që zhgënjehen apo shpresojnë nga përgjigjet institucionale.
I tillë është rasti i banorëve të një pallati 11 katësh, në lagjen nr.5 të qytetit. Kthim përgjigja nga Instituti i Ndërtimit ka hapur një dritë shprese për ata, pasi pallati i shpallur fillimisht me dëmtime DS3, rrezikon shembjen pas projektit të rikonstruksionit të bërë nga kompania e projektimit ArkonStudio.
Projekti i kësaj kompanie e nxjerr koston e riforcimit të pallatit shumë të lartë, për këtë arsye Instituti i Ndërtimit, në oponencën e tij, rekomandon shembjen e godinës.

Por banorët kanë konstatuar disa pasaktësi në projektin e kompanisë, e cila flet për një pallat me pllakë themeli, ndërkohë që banorët pretendojnë se godina është me pilota. Kompania flet për bodrume, ndërkohë që pallati shumëkatësh nuk ka asnjë të tillë.
Instituti i Ndërtimit i rekomandon banorëve t’i drejtohen bashkisë, sepse nëse pretendimet e tyre janë të sakta, ky institucion mund ta rishikojë vendimin e marrë për shembjen e godinës.
Dy vite më parë, banorët kanë përfituar grantin e rindërtimit në vlerën 500 mijë lekë të reja, por tani i tremben faktit se paratë e shpenzuara për riparimin e apartamenteve mund të kthehen në pirg inertesh në rast se godina demolohet.
Nga ana tjetër, nëse pallati shembet familjet mund të sistemohen në sitin e Spitallës, ndërkohë që deri më tani kanë banuar në qendër të Durrësit. Banorët i tremben zhvlerësimin e pronës së tyre për shkak të spostimit në periferi të qytetit.
“Mund të kenë bërë projekt sipërfaqësor për ta shemb pallatin dhe për të na degdis në Kënetë”,– thotë i shqetësuar një nga banorët.
Një tjetër banor, i kërkon bashkisë të heqë dorë nga matjet e zakonshme që bën në godinë dhe të vërë në lëvizje kompaninë projektuese që të bëjë projekt tjetër, duke respektuar specifikimet e pallatit në fjalë.
“Të zbulojnë pilotat që janë poshtë, ose të na thonë neve, që ta bëjmë individualisht”,– thotë një tjetër banor i pallatit.
Deri në përgjigjen e radhës institucionale, fati i godinës 11 katëshe mbetet i paqartë.
M.B.







