18gusht 2015 – Humb jetën në aksident një polic gjerman i cili po shoqëronte me kolegun e tij një azilkërkues për në aeroport, prej nga do të riatdhesohej në Shqipëri. Dy policët nga Baden-Württemberg ndodheshin në veturën e policisë, një Mercedes Vito, kur ndodhi ngjarja. Rreth orës 6.50 të së hënës, në autostradën 5 në Zeppelinheim, afër Neu Isenburg të Gjermanisë, vetura e policisë goditi nga prapa një kamion, i cili transportonte shtylla të çelikut, raporton bild.de.

Nga goditja e fuqishme shtylla shpon xhamin e përparmë të veturës dhe e godet kokën e policit, i cili ngiste veturën. Nga plagët e marra polici gjerman (45-vjeçar) nuk arriti të mbijetojë.

Plagë të rënda ka marrë edhe kolegu i tij që ishte afër, ndërsa më lehtë ka shpëtuar shqiptari 33-vjeçar, i cili ishte i ulur në karriget e pasme të veturës. Të tre janë dërguar në spital, ku ndërroi jetë polici.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/