Nga Kadri Tarelli
Para pak kohësh doli në qarkullim romani “Frika”, i autori të njohur durrsak Fatmir Minguli. Madje që në ditët e para të botimit, u përurua në një kuvend të thekur letrar, organizuar nga libraria “Hugo” në qytetin e Durrësit, ku merrnin pjesë shkrimtarë, poetë, krijues e studiues, artistë të penelit e daltës dhe lexues të dashuruar me fjalën shqipe.
Takime të tilla unë i quaj kuvende, pasi pati pyetje, diskutime nga të pranishmit dhe përgjigje nga vetë autori, i cili përshkroi shkurt linjën e ndjekur në këtë roman të ri me emrin “Frika”, të cilën autori e sqaron që në faqen e parë: “Frika e një intelektuali me biografi të mirë”. Si të thuash, hap një hulli disi të errët, lidhur me dukurinë e frikës, si proces psikologjik i lindur dhe i kultivuar më së shumti në sistemet e diktaturës, siç kaloi vendi ynë, apo edhe vende të tjera të Europës lindore.
Autori, besoj qëllimisht ka gjetur këtë titull të përgjithshëm “Frika”, si qëllim për të tërhequr vëmendjen e lexuesit, madje për ta vënë atë në mendim: frikë nga kush dhe pse? Synim për të kërkuar e gjetur përgjigje brenda faqeve të këtij libri të thjeshtë në pamje, por të çuditshëm si formë dhe sidomos në përmbajtje.
I gjithë romani është i ndërtuar mbi dy linja kryesore:
E para, një dashuri e zbetë, si puhi detare që të ledhaton e të freskon për pak çaste, që ndjehet e humbet në ditët dhe mbrëmjet e gushtit. Shpesh na duket si një fije e hollë që mezi dallohet, por që e mban lidhur lexuesin deri në faqen e fundit. Pikërisht atëherë kur shfaqet portreti i Lesa dhe dashuria e nisur kohë më parë, por e ndërprerë pa lamtumirë, për t’u rikrijuar përsëri pas gati njëzet-vjetësh. I gjithë ankthi i lexuesit mbetet pezull si mjegull që mbulon majat e alpeve, që duken e zhduken papritmas. Në fund, e tëra e sjellë mjeshtërisht nga autor Minguli, në një “Hapy end”, pas një lodhje të gjatë nga drama që e shoqëron Zafon, heroin e librit, pa bërë fjalë për dramën e bukuroshes Lea. Gjithçka e mbështjellë në lëmshin e “frikës”, e mbuluar nga një vello e hollë misteri, si dukuri që nuk duhet të ndodhte, por që ndodh për hir të frikës së madhe. Ajo frikë që nuk e le të riun Zafo, të ketë atë guxim të vogël, sa për të kapërcyer pengesën e vendosmërisë së një burri. Aq e dukshme është kjo dukuri, sa dikush do të ndjejë bezdi, që në roman kjo temë s’ka farë konflikt, sepse mbahet e ushqehet vetëm mendërisht e me hope, por nuk ndeshet fizikisht, as vazhdimisht, por edhe i befasuar, se dashuria nuk vdiq. Ajo jetoi kaq gjatë.
Së dyti, është gjethja e dushkut si simbol hershëm i Pellazgëve, Ilirëve dhe më pas i shqiptarëve, që i shfaqet Zafos fare rastësisht. Edhe në ballinë e ndeshim këtë gjethe, por të veshur me një sfond gri të errët, edhe kjo gjetje artistike, për të na thënë se ky simbol do kohë të zbulohet nga errësira e shekujve. Çuditërisht simboli kthehet në qëllim në vetvete, sepse dalngadalë e tërheq gjatë gjithë jetës, duke u madhuar e shpërfaqur pas një pune të mundimshme disa dhjetëra-vjeçar, nën peshën e padukshme të frikës, që ashtu si dashuria për Lean, nuk iu nda që nuk iu nda për asnjë çast.
Ky kapitull është edhe më i qënësishmi, pasi sipas mendimit tim është një studim shkencor i mirëfilltë, aq sa do të thosha, se pavarësisht nga mendimi i autorit apo gjykimi i lexuesit, kjo pjesë duhet të bëhet një broshurë e vogël historike, si libër i veçantë. E them këtë, pasi simboli i gjethes së dushku, nis si pa dashje, por përfshin gati të gjithë hapësirën e librit. Autori e çon Zafon nëpër gjetje të ndryshme, në dukje të vogla dhe që duke u mbledhur si pikat e vesës, të çojnë në përfundim logjik për shenjtërinë e këtij simboli të Pellazgëve paraardhësve tanë.
Autori jo pa qëllim e përcjell personazhin në gjetje të tilla: bie fjala gjethja e dushkut mbi faqe monedhe, (monedhë në kohën e Zogut në vitin 1926), apo në mantelin e Skënderbeut, të përshkruar nga Barleti, zbukurimet nëpër kangjellat prej hekuri punuar nga Kol Idromeno. Çuditërisht, pra si rastësisht e ndeshim edhe në Lezhë, në piedestalin ku ngrihet shtatorja e poetit Gjergj Fishta, madje edhe te kostumi i këngëtares Genta Ismajli, fituese e çmimit të parë në festivalin e pestë të “Këngës magjike”, Tiranë. Pra autor Minguli na i shtron parasysh shenjat, ndërsa unë që besoj, kështu edhe lexues të tjerë, shtroj pyetjen: Si është e mundur kjo rastësi? Meqë dikujt mund t’i duken vogëlsira, në libër na tregohet për lisin në Tempullin e Dodonës, në trojet Ilire në antikitet, për të vazhduar me librin e studiuesit Dhimitër Pilika, “Pellazgët, origjina jonë e mohuar”, për të cekur edhe artikullin e shkruar nga studiuesi Moikom Zeqo, etj, etj.
Simboli i gjethes së dushkut, bëhet shkak për të ngjizur studimin akoma më me vlerë, Pellazgët paraardhës të Ilirëve. Nuk dua të hyj në labirintet e emrave të dijetarëve dhe historianëve tanë e të huaj, të vjetër nga antikiteti e mesjeta, por edhe të kohëve të reja, pasi janë shumë, dhe që bëjnë fjalë për popullimin e krejt Europës nga Pellazgët, popull që dikur zotëronte Ballkanin dhe rajonet e Detit Mesdhe e të Detit të Zi. Sa keq që historia jonë kombëtare është kaq e varfër, madje e zhveshur nga këto materiale e nga këto studime, do të thosha të jashtëzakonshme. Këtu shtyhem përsëri të pyes: Pse? Duke iu ngjitur pyetjes që bën heroi ynë Zafo: Ç’bën Akademia jonë e shkencave? Dhe që më pas i trishtuar, ai shton: “Akademikët hipin e zbresin shkallët e Akademisë, të qetë e të lumtur, duke tërhequr me zor çantat e mëdha plot me libra dhe me letra. Ç’kish vallë në ato letra? Ose më mirë të them; Ç’gjëra misterioze kishte në ato çanta? Një zot e di!. Për ta, aq i bën që të studiohet historia e shqiptarëve
Këto dy linja të romanit i bashkon frika, e lindur dhe e ngjitur si patologji psikike që në nisje, kur Zafo hipur në avion, kalon kufirin shqiptar, si fillim me dyshime, që më pas ushqejnë frikë. Pse….!?
Dukuria e frikës lind bashkë me njeriun, thonë të diturit, si reagim ndaj të panjohurës, si veprim për mbijetesë, etj etj. Disa e ndjejnë me shumë e disa më pak, por askush nuk mund të mburret se nuk ka frikë. Ndaj më kot bëjmë pyetjen: Pse ka frikë një intelektual me biografi të mirë? Çudi është për ata që nuk e kanë njohur sistemin e diktaturës te ne, që u vendos dhe sundoi për gati gjysmë shekulli.
Me sa kam unë dijeni, në Durrës kam njohur dy lloj frike intelektuali, bie fjala, murosje e një romani për gati 30-vjet nga matematicieni, shkrimtari e poeti Vaso Papaj, si i goditur nga lufta e klasave, dhe “Ditari” i famshëm i anëtarit të Partisë, Daut Hoxha, ditar i fshehur për dyzet vjet në teneqe djathi. Në të dy rastet, romani dhe përmbledhja e ditarit e panë dritën e botimit pas viteve 90-të. Besoj, madje jam i bindur se veprime të tilla janë të shumtë nëpër botë, ndaj nuk çuditemi, as unë dhe as lexuesi. Por ky roman i Fatmir Mingulit ka një gjetje të veçantë, që të mban mbërthyer deri në faqen e fundit, sepse në vetvete është një studim, që do ta quaja autopsi e mbjelljes së frikës gjatë sistemit të diktaturës, pasoja të rënda që po i përjetojmë edhe në këto 30-vjet demokraci:
Së pari, Zafo është nga familje me biografi të mirë, pra i patrazuar nga sistemi, por nuk është anëtar partie, profesionist i zoti, i thirrur dhe i dërguar me delegacione nëpër vende të ndryshme të botës. Me një fjalë, heroi ynë është në mes të ndarjes klasike të luftës së klasave: tanët dhe kundërshtarët, apo më shkoqur, ne dhe armiqtë. Siç duket Minguli, mjeshtër i simbolikës, pikturon një trekëndësh barabrinjës personazhesh, figurë gjeometrike shumë e pëlqyer për autorin inxhinier.
Së dyti, ai fillimisht nuk ka frikë, por shkon vetë te frika, sikur e ndjek apo e ndjell atë në çdo hap që hedh, apo në çdo vendim që merr, qoftë në dashuri, qoftë në profesionin si mjek veteriner, aq më tepër në një studim mbi simbolin e gjethes së dushkut, temë e pa dëgjuar më parë, për të cilën do të mendojë e veproj fshehtas. Me shumë fantazi, autori fsheh konfliktin si bosht të romanit, ku s’ka diskutim, s’ka kundërshti, s’ka grindje e mosmarrëveshje mes individësh, por ka një konflikt të padukshëm me sistemin, ku frika endet në ajër dhe futet në vetëdijen e intelektualëve, si lagështira e ajrit në bregdet, që në ditët e trazuara, bashkë me erën të futet në trup deri në lëkurë dhe të fut ethet.
Autor Fatmiri qëmtues i hollë i ngjarjeve të kohës, në këtë roman na sjell copëza jete e ndodhi të ndryshme, si guralecë të një mozaiku gjigand, besoj shumica të jetuara vetë, disa edhe të treguara nga shokët e kolegët e shumtë, shpesh në formë rrëfenjash gazmore. Më pëlqen të citoj Gerhart Hauptman, i cili thotë: “Letërsia lind nga historitë e vërteta”.
Në këto çaste të shkurtra, frika qëndron mbi krye të Zafos, duhet thënë te të gjithë Zafot në Shqipëri. “Ishte një lloj frike, që kishte kapur shumicën e intelektualëve në kohën e sistemit monist”, – thotë Fatmiri. Ky përgjithësim i dhimbshëm bëhet tërësisht i besueshme, jo i trilluar letrarisht, pasi nëpër këto rrëfime, disa herë përmenden edhe emra personash publik, të njohur në mjedisin intelektual durrsak dhe rangjet e larta të administratës shtetërore. Këtu po përmend shkrimtarin Bashkim Çuçi, apo ministrin e bujqësisë Pirro Dodbiba, etj.
Autori, duke u nisur nga një lloj filozofie e mjedisit shqiptar, qëllimisht, e theksoj përsëri qëllimisht, nuk merret me shkakun që shkakton “frikën”, por me pasojën, që fatkeqësisht dominon jetë e shoqërisë sonë. Me fjalë të tjera: përjetojmë ngjarje, regjistrojmë viktimat, mbledhim gëzhojat dhe nuk kapim autorin apo zbulojmë shkakun. Një dukuri e vendosur kohë pas kohe, aq mjeshtërisht nga politika dhe politikanët, sa shkruhet: “Një lloj absurdi që kalëronte zyrave më të larta të çdo lloji”, si gjatë diktaturës, por edhe tani në demokraci. Dukuri e zbatuar dhe shfrytëzuar po mjeshtërisht, për ta mbajtur shoqërinë të përçarë, si metodë e njohur për një sundim të qetë dhe afatgjatë. Nuk e di sa qëndron kjo thënie e Rexhep Shahut: “Lufta më e ashpër mes shqiptarëve është lufta e frikës. Frikë se mos zbulohen mëkatet, frikë se mos zbulohen mashtrimet, rrenat. Frikë, frikë, frikë që frymëzon luftën e ndyrë mes tyre…!
Lexuesi i vëmendshëm, vetëm një herë në pak rreshta, si rastësisht ndesh me një shpjegim tronditës. “Ishte shtrati i një teorie, që në vitet 60-të të shekullit të shkuar, në Amerikë dhe në Europën perëndimore ekzistonte, dhe rreth saj vërtitej emri “Shoqëria e kontrollit”. Teori e trajtuar më pas nga Xhorxh Oruell,( (angl. George Orëell, emri i vërtetë Eric Blair), në librin “Viti 1984”. Teori që ai mund ta përmbledhë vetëm me pak fjalë: “Ai që kontrollon të shkuarën, kontrollon edhe të ardhmen. Ai që kontrollon të tashmen, kontrollon të shkuarën”. Deri këtu shprehet Minguli, por pa u përpjekur ta vazhdojë më tej idenë, duke i lënë lexuesit “Pataten e nxehtë”, për të menduar dëshpërimisht, se të tjerët shpikën teorinë, ndërsa udhëheqësit apo shtetarët tanë shqiptarë e zbatuan përulësisht dhe tmerrësisht në shoqërinë tonë. Është një temë që mund të trajtohet veçan dhe plotësisht, aq më tepër kur kemi shtratin, fushën dhe baltën tonë, ku u krye ajo e thëna nën buzë, e pabesueshmja: “Mos vendi ynë u bë laborator eksperimentesh?”, fjalë që pëshpëritej heshtazi në biseda intelektualësh. Dihet se me këtë temë janë marrë edhe studiues të tjerë të huaj, por nuk besoj se kanë huazuar shembuj nga Shqipëria jonë e vuajtur. Mendoj se është një detyrë e vetë autorit, ose ftesë për të tjerë punëtorë të letrave, për ta trajtuar më gjerësisht si përvojë shqiptare, pavarësisht se nuk na nderon. Po historia është histori dhe nuk zhbëhet duke heshtur.
E ceka që në krye te herës, se ky libër pavarësisht i linjës “Roman”, nuk është i tillë dhe nuk mund të lexohet shtrirë e përgjumur nën hijen e çadrës në plazh, apo nën freskinë e pishave të Kodra-Vilës, pasi duhet mbajtur shënim për mesazhet dhe njohuritë e shumta që përcjell, diku të trishtueshme, diku të gëzueshme, diku të hidhura pelin, e diku të sheqerosura por me kursim.
Besoj se këtij libri i takojnë fjalët e dijetarit Dekart, që shprehet: “Leximi i librave të mirë është një lloj bisedimi me njerëzit më të mirë të kohërave të kaluara, një lloj bisedimi me ç’rast, na komunikojnë mendimet e tyre më të mira”.
Urime Fatmir Mingulit, duk pritur sukseshëm edhe libra të tjerë me vlera njohëse dhe kumt jete!