Dy tregime të autorit Fatmir Minguli janë përfshirë së fundmi në një antologji letrare në gjuhën rumune. “Zjarr i pashuar” titullohet botimi i realizuar nga Baki Ymeri, që mbledh në një libër të vetëm pjesë nga krijimtaria e 16 poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, kosovarë dhe rumunë, ndër të cilët spikatin emrat e Fatmir Terziut, Skënder Buçpapajt, Fikrije Bylykbashi, Andon Kristo, Fatmir Minguli, Florica Bud, Isabela Dragiçi etj. Në këtë antologji letrare Fatmir Minguli prezantohet me dy tregime të tij “Valixhja që lëviz” dhe “Qeni i Slabinës”, një tregim i së kaluarës që i shërben të tashmes.
Antologjia “Zjarr i pashuar” është i disati botim i kësaj natyre i realizuar në dy gjuhë; shqipe dhe rumune. Ajo tenton të krijojë një urë kulturore në shërbim të njohjes së vlerave poetike mes dy kulturave, shqiptare dhe asaj rumune. Libri u botua në Bukuresht të Rumanisë në kuadër të nismës së bibliotekës “Albanezul” duke pasur ideatorë Vitore Lekën dhe Mardena Kelmendin. Parathënia e tij është shkruar nga poeti i njohur shqiptar Visar Zhiti.
Autori Fatmir Minguli ka botuar ndër vite artikuj kritikë, ese, studime për poezinë moderne, tregime dhe skica letrare. Ai është specializuar në studimet e poezisë haiku që shkruhet nga autorë shqiptarë duke bërë një sërë studimesh dhe përsiatjesh për këtë lloj poezie.
Si eseist ka dhënë një ndihmesë në rrahjen e disa çështjeve të kulturës shqiptare, sikundër edhe prirjeve moderne në letërsi dhe arte. Botimi më i fundit që Minguli ka sjellë në duart e lexuesve është fjalori Lexikon, një historik i shkurtër mbi krijuesit e artit dhe letërsisë së Durrësit, fjalor i cili mban bashkëautorësinë e studiuesit Halim Maloku.