Në klubin e Kulturës dhe Artit “Sigal“ të qytetit të Durrësit është bërë promovimi i librit me tregime të Fatmir Mingulit “Shtëpia në rrugicë”, një libër artistik ky, që është vlerësuar mjaft nga kritika. Kolegët pjesëmarrës në këtë promovim kanë evidentuar vlerat studimore të autorit si dhe kontributin e tij të dhënë ndër vite në shumë sektorë të jetës së qytetit, si dhe në art e kulturë dhe tashmë së fundmi që po paraqitet si një prozator i formuar me shumë nivel kulturor.
Autori i librit ka botuar ndër vite rreth 11 libra të ndryshëm shkencorë, historikë, me kritika letrare dhe esse. Libri “Shtëpia në rrugicë” është një libër me rreth 31 tregime që shënon edhe librin e 12-të të botuar nga Minguli. Tregimet sipas tij kanë filluar të shkruhen rreth 14 vite më parë, në vitin 2003.
Kush është Fatmir Minguli
Fatmir Minguli ka lindur më 27 shkurt 1946 në Tiranë. Ka përfunduar studimet për inxhinieri elektrike, ka qenë kryeinxhinier në ish-uzinën mekanike bujqësore në Shkozet, kryetar i ish-komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit të Durrësit (ku përfshihej dhe Kavaja deri në Rrogozhinë), deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ka bërë punë të rëndomta për sigurimin e jetesës, por njëkohësisht ka drejtuar dhe kurse dhe projekte formimi profesional. Ka botuar libra teknikë-profesionalë (“Boshtet kardanike në makinat bujqësore”, “Makinat me zgarë aktive në përpunimin e tokës”, “Panelet diellore për ngrohjen e ujit”) deri dhe gastronomik (“Erëza, pikante dhe salca”). Është pedagog në UAMD, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën. Fatmiri ka një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe historinë, duke shkruar me dhjetëra studime të botuar në të përditshmet kombëtare shqiptare dhe që kanë ngjallur interes për origjinalitetin, si dhe tregime. Gjithçka i ka përmbledhur në librat “Tjetërlloj – Ese dhe kritika letrare”, “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”, “Kanuni i përkitur”. Si edhe librin i tij me bashkautor studiuesin e njohur shijakas Halim Maloku. Ai ka në projekt edhe një sërë librash të tjerë për të ardhmen.
K.H.