DURRËS, 8 tetor 2014– Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, ka ironizuar dje deklaratën e Berishës, i cili tha se nuk i kishte lënë familjarët e tij të anëtarësoheshin në PD. Hoxha tha se dhëndri, Argita dhe mbesat kanë vuajtur shumë gjatë qeverisjes së Berishës. “Por lideri e dogji dhe këtë shans. E “vrau” Lulin. Doli dhe tha: Lista më përfaqësuese në historinë e PD-së. Pastaj u tregoi shqiptarëve se sa kishin vuajtur vajza, djali, mbesa dhe dhëndri nën thundrën e tij, se si Ai, përdhunisht u kishte mohuar çdo ëndërr, ideal, ambicie dhe shpresë për t’u marrë me politikë. Shyqyr që erdhi kjo ditë dhe ATA po shpëtojnë nga tirania! Ditë e zezë kjo për Lulin dhe Partinë e tij të re. Shoh çdo ditë e më qartë, vuaj çdo ditë e më shumë”, tha Hoxha.
Ish-deputeti demokrat, pohoi se i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në PD. “Kam ndjekur këto ditë me vëmendje të gjitha daljet publike në lidhje me Kuvendin e PD-së, sidomos zërat pro dhe kundër përbërjes së Këshillit të ri Kombëtar. Tetë ditë nga Kuvendi dhe njerëzit vazhdojnë e flasin. Ose nuk ka vend thënia se çudia më e madhe vetëm tre ditë zgjat, ose çudia më e madhe është vogëlsirë përpara kësaj ngjarjeje. Më bëjnë përshtypje disa gjëra për të cilat ju ftoj dhe ju të gjykoni. Produkti i Kuvendit të PD-së po na serviret çdo natë nga analistët “e pavarur” si “Partia e Re” e Bashës dhe njerëzit kuptojnë çdo ditë e më shumë “Partinë e vjetër” të Berishës”, tha ai.
Hoxha ka ironizuar edhe propagandën për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. “Na thonë çdo natë “Këshilli Kombëtar më përfaqësues” në historinë e PD-së dhe gdhihen çdo ditë më të vetmuar se një ditë më parë. Përpiqem të kuptoj: Nëse përkthimi ekzaktësisht në të kundërt i mesazhit të lidershipit nga publiku dhe demokratët, të ketë lidhje me paaftësinë në komunikim të lidershipit dhe analistëve, me famën e keqe që kanë si njerëz jo fort të sinqertë e të besueshëm apo me faktin që sa hapin gojën, prapa tyre shfaqet hija e dhunshme e ish-Kryetarit. Sido që të jetë, do besoja se, sikur ish-Kryetari të mërzitej nga lista e re e Këshillit Kombëtar, të shfaqej i inatosur e të distancohej prej saj, atëherë njerëzit nuk do kishin nevojë të dëgjonin “analistë” për të kuptuar se po lind një Parti e re”, tha ai.
/SotNews/





