Tiranë, 28 maj 2014 – Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën ‘Sot”, ka dhënë variantin e tij për ngjarjen e 28 Majit të vitit 1996, lidhur me mënyrën si u dhunua fizikisht opozita e majtë, e cila doli në protesta në qendër të Tiranës, duke denoncuar vjedhjen e votave nga Sali Berisha. Ish-kreu i SHISH deklaroi se reprezalja ndaj Servet Pëllumbit, Arben Imamit, Gaqo Apostolit, Neritan Cekës, Paskal Milos, Ndre Legisit, Namik Dokles, Pandeli Majkos, Blendi Gonxhes dhe Kastriot Islamit, u krye me urdhër të Sali Berishës. Sipas tij, Berisha ka qenë i dhunshëm me forcën e karakterit gjatë kohës që kishte pushtetin dhe sot me mënyrën si bën opozitë. Klosi theksoi se ish-kryeministri është destruktiv dhe i dhunshëm. “Berisha nuk ndryshon dot. Është shumë i vjetër për të ndryshuar parametrat e karakterit. Është shumë i dhunshëm, ashtu si ka qenë me forcën kur kishte pushtetin dhe sot me mënyrën se si bën opozitën. Ai dhe tani nuk ka ndryshuar fare, për mos të thënë se pas dorëheqjes ka ndryshuar për keq. Në fillim u mor me tritolin, më pas me trafikun e drogës dhe tani me grevën e urisë. Më 28 Maji të vitit 1996, kur PS do organizonte protestat për vjedhjen e votave, ishte Sali Berisha ai që urdhëroi që kjo protestë të mos bëhej në sheshin e Tiranës, por tek fusha “Ali Demi” dhe i rrethuar me polici: në periferi të kryeqytetit. Por, irritimi i PS nxiti turmën të devijonte, çka solli më pas dhe përplasjen. Sali Berisha urdhëroi të rriheshin shumë persona në shesh. Dhe unë isha aty por, mua nuk më rrahu njeri”, theksoi Klosi.
Gjinushi: Berisha vret në mes të bulevardit
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, një prej personave mbi të cilin ish-kryeministri Berisha ushtroi dhunë, theksoi se nga 28 Maji i 1998 nuk ka çfarë të kujtohet. Sipas tij, Sali Berisha ka mbetur i njëjti ashtu sikurse 18 vite më parë. Kreu i PSD theksoi se ish-kryeministri kaloi nga rrahja nëpër sheshe, tek vrasja e opozitës në bulevard. Dhe për këtë sipas tij, duhet të vendoset drejtësia. Gjinushi pohoi se Berisha jo vetëm dhunon popullin ashtu sikurse në 1996, por dhe vret në mes të bulevardit. “Nuk ke çfarë t’i kujtosh 28 Majit të vitit 1998, por Berisha është i njëjti. Ai kaloi nga rrahjet nëpër sheshe, tek vrasja e opozitës në bulevard. Dhe sërish është i lirë. Ai jo vetëm dhunon popullin e opozitën si në 1996-ën, por edhe e vrau atë në mes të bulevardit”, tha ai. Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve të vjedhura e të dhunuara fizikisht, pushteti i Sali Berishës, iu vërsul opozitës së majtë e cila doli në protesta në qendër të Tiranës, duke denoncuar vjedhjen e votave. PS dhe partitë e tjera të opozitës, nuk u pajtuan me votimet e 26 majit dhe organizuan një protestë në 28 maj 1996, duke e nisur atë në sheshin “Skënderbej”. Por, ishte Sali Berisha ai që urdhëroi që kjo protestë të mos bëhej në sheshin e Tiranës, por tek fusha “Ali Demi” dhe i rrethuar me polici.
/gazeta “Sot”/





