Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Fatos Klosi, pranoi që SHIK-u ishte njoftuar për problemet e familjes së Alda Canaj nga punonjësi i tyre, historia e së cilës u rikthye në vëmendje pas intervistës që Ardit Gjebrea realizoi me vrasësin e Mbarime dhe Alda Canajt, nënë e bijë. Sipas Klosit, në atë kohë u caktua një punonjëse e vjetër që të ndërmjetësonte mes palëve për pajtim. Ish-kreu i SHIK-ut tregon se u habit me vrasjen që kreu Marjani, pasi sipas Klosit, ai ishte njeri i kultivuar dhe me kulturë, që nuk do ta zgjidhte një konflikt me forcë.

“Ky shqetësim ka ardhur dhe ne kemi vendosur një punonjësen tonë që të merrej ekskluzivisht me këtë shqetësim. Vrasja që bëri Marjani nuk ishte një shpërthim që erdhi nga hiçi, ishte një histori e trazuar, një marrëdhënie problematike mes dy të rinjve”, thotë ai.

Sipas Klosit, të gjithë që e njihnin Marjanin, e dinin se ai ishte në një marrëdhënie me Aldën.

“Nuk e di a bashkëjetonin apo jo, por ishte një marrëdhënie që kishte zgjatur dhe në një moment ai u çmend, i doli vetja nga kontrolli dhe përfundoi në vrasjen e dy personave”, tregon Klosi.