Delegimi i papritur i ish-kryesocialistit Fatos Nano, rishpërndarja e anëtarëve të Asamblesë dhe lënia jashtë Durrësit të vetë Klosit janë komentuar si dicka e zakonshme nga deputeti i Durrësit dhe sekretar organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi. Sipas tij, edhe debatet e shpërthyera në gjirin e kupolës rozë, nuk janë veçse tregues i shkallës së lartë të demokracisë brenda kësaj force politike. Në një prononcim për gazetën “Dyrrah”, deputeti Klosi ka vlerësuar gjithashtu menaxhimin e Bashkisë së Durrësit dhe kryetarin e saj, Vangjush Dako, puna e të cilit, sipas Klosit, do të reflektohet edhe në votat për Partinë Socialiste. Njëkohësisht, ai ka ngulmuar në tezën e bllokimit për arsye politike në këtë njësi vendore nga këshilltarët e djathtë.

Z. Klosi, duket se z. Rama më së fundi e kuptoi se pa afrimin e Fatos Nanos nuk mund të ketë shanse për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Kam parasysh zhvillimet më të fundit, vendimin për rishpërndarjen e anëtarëve të Asamblesë dhe Kryesisë…

Jo, nuk jam dakord me këtë. Nuk ka lidhje me fitoren e zgjedhjeve kjo çështje e fryrë mediatikisht, pasi PS i fitoi dhe zgjedhjet e kaluara, por ia mohoi pushteti i Berishës një gjë të tillë. Është spekuluar shumë mediatiksht në lidhje delegimin e Fatos Nanos, i cili s’ka të bëjë aspak me afrimin apo largimin e tij. Fatos Nano ka qenë gjithmonë i deleguar. Mendoj se këtë çështje e ka sqaruar dhe kryetari Rama. Fatos Nano ka qenë i deleguar si gjithë ata përfaqësues të PS që kanë pasur detyra të larta shtetërore, për shembull Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ylli Bufi, po edhe si ish-kryetar i PS është anëtar zyrtar i Asamblesë Kombëtare. Si i tillë ai ka qenë gjithnjë në listën e delegimeve në bazën e partisë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Pra zyrtarisht s'e ka larguar kush më parë dhe as e ka rikthyer kush përsëri. Tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e ç´ka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite duke u distancuar larg nga PS-ja, po kjo s'ka të bëjë me mbledhjen e rishpërndarjes së anëtarëve të Asamblesë Socialiste.

Si e shpjegoni delegimin në Durrës të kryebashkiakut Dako dhe Eglantina Gjermenit, në një kohë që mungojnë figura që kanë pasur lidhje të forta me këtë qark, si ju dhe z. Bizhga p.sh.?

Dhe pse unë dhe z. Bizhga nuk jemi të deleguar, kjo nuk do të thotë se nuk jemi të lidhur me Durrësin. Ne jemi deputetë dhe kontaktet dhe lidhjet me qytetarët dhe strukturat e partisë i kemi pasur dhe do të vazhdojmë që t´i kemi të forta. Mendoj se si z. Dako dhe znj. Gjermeni janë dy figura të rëndësishme që garantojnë sukses të plotë.

Fatos Nano ka qenë i deleguar si gjithë ata përfaqësues të PS që kanë pasur detyra të larta shtetërore, për shembull Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ylli Bufi, po edhe si ish-kryetar i PS është anëtar zyrtar i Asamblesë Kombëtare. Si i tillë ai ka qenë gjithnjë në listën e delegimeve në bazën e partisë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Pra zyrtarisht s'e ka larguar kush më parë dhe as e ka rikthyer kush përsëri. Tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e ç´ka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite duke u distancuar larg nga PS-ja, po kjo s'ka të bëjë me mbledhjen e rishpërndarjes së anëtarëve të Asamblesë Socialiste

A ka pasur pakënaqësi apo përplasje brenda selisë rozëpër rishpërndarjen e anëtarëve të Asamblesë dhe Kryesisë në zona të tjera nga të mëparshmet?

Ka pasur vetëm debate dhe diskutime normale në Partinë Socialiste që nuk janë gjë tjetër veçse një tregues i demokracisë së brendshme që ka në PS. Shikoni Partinë Demokratike ku nuk guxon njeri të thotë një fjalë ndryshe nga Berisha, se e sikterosin. Në PS është ndryshe dhe këtu është ndryshimi i madh i mentalitetit demokratik që ka PS-ja dhe atij të bazuar te njëshi që ka PD-ja.

Gjithsesi dhe figura si z. Islami ju i keni spostuar…

Jo, ne nuk kemi larguar njeri, përfshi dhe z. Islami apo z. Nano.

Si e komentoni faktin se gjeografia e ndryshimeve në delegime të anëtarëve të AK ka qenë me të vërtetë e çuditshme?

Nuk është aspak e çuditshme, por është bërë mbase në ndryshim nga herët e tjera një ndarje me specifike, më e detajuar, ndarje e cila do të kërkojë që anëtarët e Asamblesë Kombëtare, anëtarët e Kryesisë, të zgjedhurit e të gjithë niveleve të PS, deri në fund të muajit mars të kenë një kontakt të plotë, 100 për qind në të gjithë territorin e Shqipërisë. Të deleguarve i është kërkuar qe jo vetëm te kontaktojnë strukturat tona për të përgatitur një vit të fortë elektoral, po për të përgatitur të gjithë realitetin shqiptar, për një lëvizje shumë të madhe, që ka të bëjë me rrugën e programit të PS. Ne do të kontaktojmë me çdo shqiptar, për t'i dhëne atij informacion mbi programin tonë, çfarë ne premtojmë që do të bëjmë kur të vijmë në qeverisje. Në fokus të programit do te jetë edhe përfshirja në të e mendimeve dhe propozimeve të njerëzve të thjeshte. Në fokus të kësaj reforme është edhe maksimalizimi i rezultateve dhe rritja e efikasitetit të strukturave të Partisë Socialiste, në të gjitha zonat e vendit. Rritja me 30 për qind e anëtarësisë dhe hapja e mëtejshme e Partisë Socialiste, janë dy objektiva të tjerë të rëndësishëm për t’u realizuar.

Janë 3 deputetë të PS-së të cilëve Prokuroria ka kërkuar t’u heqë mandatin. A është kjo një tregues se dhe PS ka faturë në ngjarjet e 21 Janarit?

Në ngjarjet e 21 Janarit ka vetëm një përgjegjës dhe autor të krimit. Ai është shteti shqiptar i cili qëlloi mbi qytetarët e tij. Ne kërkojmë edhe në emër të familjeve të viktimave, edhe në emër të Shqipërisë europiane, çuarjen e hetimit deri tek përgjegjësit e mëdhenj të hapjes së zjarrit, që nuk janë ekzekutorët, por urdhëruesit e tyre. Ne e mbështesim 100% prokurorinë në këtë hetim. Drejtësinë e kërkon Shqipëria, por e kërkon bota demokratike, e kërkojnë miqtë e partnerët e pazëvendësueshëm. Miqtë e mëdhenj amerikanë, për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nuk janë mjaftuar me fjalë, po kanë angazhuar agjencinë më të fuqishme investigative të botës, FBI-në. Pa Shtetet e Bashkuara në krah shqiptarët s’do kishin bërë shumëçka prej arritjeve historike të këtij njëzetvjeçari, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara edhe për hetimin e 21 janarit Shqipërisë nuk do t’i hapej rruga për drejtësi.

Si e vlerësoni degën e PS-së në Durrës, ku më tepër influencë ka kryebashkiaku se drejtuesit partiakë?

Mendoj se është një nga degët më aktive, për më tepër që performancën e saj e tregoi dhe në zgjedhjet e pushtetit lokal, ku natyrisht që dhe kontributi i z. Dako si një menaxher i shkëlqyer i qytetit, i jep një imazh pozitiv PS-së. Mendoj se të gjithë bëjnë mirë detyrën e tyre, si z. Dako si kryebashkiak, ashtu dhe drejtuesit e degës së PS.

A ka lidhje kjo me faktin se, pikërisht z. Dako delegohet në Durrës?

Mund të jetë një nga arsyet.

Z. Klosi, a i keni ndjekur zhvillimet më të fundit në Këshillin Bashkiak të Durrësit?

Sigurisht. Ndjek me vëmendje çdo zhvillim në qytet, pasi jam deputet i Durrësit. Shikoj me shqetësim se vazhdon e njëjta frymë e tensionimit dhe e bllokimit nga PD-ja. Një frymë që bie ndesh me interesat e qytetit dhe që kërkon të bllokojë punën e bashkisë. Uroj që kjo strategji të ndryshojë, pasi janë qytetarët që dëmtohen direkt dhe janë këta qytetarë që në zgjedhjet e fundit e treguan me votë se janë për zhvillimin e Durrësit dhe jo për bllokimin e investimeve. Besoj se e mbani mend se çfarë ndodhi me rrugën e re hyrëse të qytetit, portin e peshkimit apo investime të tjera.

Gjithsesi z. Klosi, të djathtët nuk lejuan rritjen e taksave për qytetarët dhe biznesin. A nuk është dhe PS-ja për mosrritjen e tyre?

Propozimet e bashkisë ishin të bazuara në studime konkrete dhe nuk synonin rëndimin e biznesit apo qytetarëve, por një pasqyrim real të taksave, që do të përkthehej në investime pikërisht për qytetarët.. Mos harroni se të ardhurat e bashkisë së Durrësit janë prekur dukshëm nga ligji për menaxhimin e territorit, apo dhe faktorë të tjerë. Mendoj se nuk ecet para me bllokime, por me bashkëpunim në dobi të qytetarëve.