16 dhjetor 2014 – Ndonëse i shkëputur nga Shqipëria, hapat e Fatos Nanos ndiqen me interes nga shumë mbështetës të tij. Ish-kryeministri Nano ka nisur një fushatë reagimesh në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, mesa duket për t’i paraprirë një lëvizjeje politike.
“Ne vazhdojmë t’i shpallim luftë njerëzve të këqij në vend se t’i shpallim luftë asaj që i bën njerëzit të këqinj”, shkruan Nano.
Më tej, lideri historik i PS thekson se shqiptarët janë të lodhur nga premtimet boshe.
“Shqiptarët janë lodhur nga fjalët dhe premtimet boshe! Reforma duhet të jetë popullore dhe jo elektorale në interes të partive.
Miqtë e mi të dashur, ju ftoj të bëheni pjesë e faqes së mëposhtme duke sugjeruar dhe miqtë tuaj.
Aty mund të shprehni mendimet tuaja për tema të ndryshme të shoqërisë shqiptare”, deklaron Nano.
Sipas Fatos Nanos, politika shqiptare është kthyer në një han pa porta, duke shprehur mospajtimin e tij me zhvillimet politike pas rotacionit politik.
“’Politika shqiptare’ është kthyer në një ”han pa porta””, ka deklaruar Nano.
Edhe pse pozitat e kryeministrit Edi Rama janë më të forta se kurrë, ndoshta shfaqja e Fatos Nanos, shqetëson jo pak lidershipin aktual socialist, pasi shumë socialistë të pakënaqur, shpresojnë ende tek kryetari i parë.