A ka ardhur momenti i rikthimit të ish-liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano?!
Ka qenë vetë kreu i PS-së, Edi Rama, që gjatë një aktiviteti për Reformën në Drejtësi u bëri një ftesë të hapur ish-figurave kryesore të partisë, ndër ta edhe ish-kryeministrit Fatos Nano.
“Për t’i dhënë mundësinë atyre që janë më të rinj që nuk e njohin mjaftueshmërisht historinë tonë që nuk kanë pasur mundësi t’i dëgjojnë protagonistët e së djeshmes.
Sigurisht që duhet të bëj bashkë Fatos Nanon, Servet Pëllumbin, Ethem Rukën, Luan Hajdaragën, Ylli Bufin e me radhë njerëz që kanë pasur përgjegjësira të mëdha në momente të caktuara me ne që sot i kemi këto përgjegjësi dhe pesha”,- tha Rama.
Nuk dihet nëse kjo ftesë është për të dhënë kontribut në forcimin e partisë apo një “nostalgji”.
Gjatë vitit të kaluar ka qenë vetë Rama ai që zbuloi se komunikon shpesh me Fatos Nanos, madje ky i fundit e këshillon në lidhje me zhvillimet politike në Shqipëri.





