Fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020, evidentoi Kontrolli i Larte i Shtetit (KLSH) në një raport për Kuvendin e Shqipërisë.

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje në vlerën 388,479,560 euro janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar, ndërsa në 4 çështje në vlerën 10,651,257 euro janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të Shtetit Shqiptar, sipas KLSH.

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

“Zbatimi i këtyre vendimeve në Shqipëri bëhet pas njohjes së tyre nga gjykatat e apelit vendas, në çdo rast ekziston mundësia që pala paditëse, për zbatimin e këtyre vendimeve, t’i drejtohet gjykatave të shteteve të tjera, ku shteti shqiptar disponon të drejta”, raportoi KLSH.

Nga ana e saj në raportin e mes vitit të Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me detyrimin total të akumuluar për Arbitrazhet Ndërkombëtare raportoi një vlerë prej 109.5 milionë eurosh.

Në raportin vjetor të vitit 2020, nga Ministria e Financave raportohet se vlera e paguar për arbitrazhet më 2020 ishte vetëm 33.3 milion lekë dhe nuk jepet informacion për detyrimeve për vendime në pritje të nxjerrjes së VKM-ve si detyrime kontingjente për buxhetin e shtetit.

KLSH raportoi se, nga auditimi në Aparatin e MFE rezulton se Ministria nuk ka informacion për vendimet në pritje për pagesë. Për këtë çështje, në auditimin e kryer në Avokaturën e Shtetit, sa i takon vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), rezulton se deri më 31.12.2020 janë ende të pa ekzekutuara 7 vendime në vlerën 17,956,320 Euro dhe të paktën 1,675,938 Euro kamatëvonesa potenciale, të përllogaritura deri në datën e përfundimit të auditimit.

Gjithashtu konstatohet se për ekzekutimin e këtyre vendimeve, nuk janë zbatuar afatet 3 mujore sipas Ligjit për avokaturën e shtetit të ndryshuar. /Monitor