Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni kundër ndërtimeve pa leje në Sarandë, ku si pasojë, Shefi i komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari dhe tre inspektorë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj u ndaluan, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar ndërtimet pa leje në zonat bregdetare, Sarandë dhe Ksamil.

Efektivët dyshohet, se kishin krijuar skema me qëllim përfitimi të paligjshëm, si dhe kanë favorizuar ndërtimet pa leje që ishin të lidhura me grupet kriminale në territorin e Sarandës. I gjithë aksion nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e tetë punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo.

Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve. Gjithashtu është njoftuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, kanë vijuan veprimet për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjësit e policisë.

AMP bëri ndalimin e shefit të Komisariatit dhe 3 inspektorëve, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”, “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, vepra këto të kryera në bashkëpunim. Pas aksionit, kryepolici Skënder Hita i ka pezulluar nga detyra katër punonjësit dhe ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.

DETAJE nga operacioni në Sarandë/ Kupola e policisë mori ryshfet nga bandat! Si u bë ndërtimi pa leje “mollë sherri” për vrasjen me tritol të Isuf Jaçajt
Po ashtu nga detyra është pezulluar edhe Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për tu marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore që po kryhen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.