Në muajin e parë të vitit të ardhshëm, pritet të rihapë dyert Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës.
Godina e QKF-së i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë prej disa muajsh tashmë, por do të jetë janari 2024, kur vogëlushët e talentuar të qytetit do të rikthehen në ambiente të rikonstruktuara tërësisht. Lajmi bëhet i ditur për “DurrësLajm” nga Drejtoria e Projekteve pranë institucionit të qeverisjes vendore.
Investimi në vlerën rreth 125 milionë lekë me TVSH po realizohet me fondet e bashkisë Durrës, ndërkohë që punimet që po kryhen në ambientet e brendshme të godinës janë drejt finalizimit.
Pas përfundimit të tyre, rreth 1000 fëmijët që e frekuentojnë qendrën do të performojnë dhe mësojnë në ambiente me kushte bashkëkohore. Ky është i vetmi ambient publik në Durrës, ku nxënësit më të talentuar të shkollave 9-vjeçare të qytetit mund të kalojnë kohë cilësore dhe të përforcojnë dijet e tyre në fushën e artit, sportit apo shkencës.
Në godinën e rikonstruktuar të QKF-së do të jenë funksional kurse të ndryshme si ato të kërcimit, shahut, pikturës, matematikës, gjuhëve të huaja etj.
Kjo qendër synon të kthehet në një hapësirë multifunksionale, që do t’i shërbejë edhe më mirë nxitjes së aktiviteteve kulturore dhe argëtuese për fëmijët e Durrësit.
M.B.