FBI konfirmoi se ka qenë e paralajmëruar për adoleshentin, i cili dyshohet se ka kryer sulmin me të shtëna masive në ish-shkollën e tij në Florida.
Nikolas Cruz, i cili është ngarkuar me 17 akuza për vrasje me paramendim, raportohet se ka komentuar një video në YouTube vitin e kaluar, duke thënë: "Do të jem qitës profesionist në shkollë".
Një përdorues i ka alarmuar autoritetet për postimin.
Mësuesit po ashtu kanë qenë të paralajmëruar për Cruzin, i cili nuk është lejuar të hyjë në kampusin e shkollës me çantë shpine, raportojnë mediat amerikane.
“Ka pasur probleme me të vitin e kaluar, pasi ka kërcënuar studentët”, ka thënë Jim Gard, mësues i matematikës. Zyrtarët e shkollës Stoneman Douglas në Parkland të Floridës nuk kanë treguar se pse është përjashtuar Cruz.
Ai është arrestuar nga policia një orë pas sulmit, i cili ka lënë të vrarë 17 persona dhe të plagosur disa të tjerë. FBI tha se e ka hetuar komentin në YouTube, porse nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë plotësisht personin që e ka postuar atë.