Sulmi kibernetik ndaj vendit tonë u organizua nga katër ekipe me rol të menduar mirë, por për parandalimin dhe eleminimin e pasojave të matejshme, FBI dha një ndihmë mjaft të madhe. Kështu ka deklaruar drejtoresha e AKSHI Mirlinda Karçanaj në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.
Ajo ka zbardhur detaje në lidhje me sulmin iranian ndaj vendit tonë, ndërsa ka ndarë me anëtarët e komisionit faktin që ishin katër skuadra ato që organizuan sulmin.
Karçani deklaron se secili nga këta katër ekipe kishte një rol të përcaktuar qarë, ku secila do të kryente një pjesë të operacionit, synimi final i të cilave ishte fshirja e sisteme dhe te të dhënave të shqiptarëve.
“Ambasada Amerikane na suportoi me skuadrën më të përgatitur të FBI për Cyber që punuar një muaj për analizën duke dalë në të njëjtin përfundim si ne. Ndërkohë që ne ndihmonim të dyja skuadrat me analizë duhet të ngrinim edhe sistemet pasi qytetarët ishin pa shërbime. Sërish u përfshi Crisp, një nga skuadrat e Microsoft për Recovery.
Nga ky moment Microsoft dhe FBI arritën në përfundimin se çfarë kishte ndodhur. Na kishin sulmuar katër skuadrat më të zgjuara të Iranit, të mbështetura nga shteti i Iranit, i kishin ndarë shumë mirë rolin, njëra për të nisur sulmin dhe krijuar terren, tjetra për të lëvizur brenda infrastrukturës sonë, një tjetër sërish për hyrjen, sepse donin siguri që do të hynin dhe e fundit skuadra e zjarrit që do të bënte wiper”, tha ajo.
Duke mos ditur që punimet e komisionit po transmetoheshin në faqen e Kuvendit, ajo ka zbuluar detaje nga sulmi iranian, ndërsa u desh një prej anëtareve të ekipit të saj të njoftonte që gjithçka po transmetohet, që zonja Karçanaj të kërkonte që transmetimi të ndërpritej dhe punimet të vijonin pa praninë e kamerave.