Zyrtarët e sigurisë në SHBA kanë lëshuar një paralajmërim urgjent në lidhje me ‘kërcënimin në rritje’ ndaj komuniteteve hebraike në të gjithë vendin pas dy sulmeve të fundit antisemite.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) publikuan njoftimin e shërbimit publik, duke i paralajmëruar njerëzit të qëndrojnë vigjilentë, pasi dhuna e vazhdueshme në Gaza mund të ‘motivojë’ sulme të mëtejshme. Zyrtarët përmendën dy kërcënime të fundit si bazë për paralajmërimin: të shtënat në maj në Muzeun Hebraik të Kapitolit në Uashington DC dhe sulmin e fundit në Boulder, Kolorado.

“Konflikti i vazhdueshëm Izrael-Hamas mund të motivojë ekstremistë të tjerë të dhunshëm dhe autorë të krimeve të urrejtjes me ankesa të ngjashme për të ushtruar dhunë kundër komuniteteve hebraike dhe izraelite dhe mbështetësve të tyre”, thuhej në njoftim.

“Organizatat e huaja terroriste gjithashtu mund të përpiqen të shfrytëzojnë narrativat që lidhen me konfliktin për të frymëzuar sulme në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, FBI dhe DHS i bëjnë thirrje publikut të mbetet vigjilent dhe të raportojë çdo kërcënim dhune ose aktivitet të dyshimtë tek forcat e rendit.”

Paralajmërimi vjen pasi 12 persona u plagosën në Boulder gjatë një mbledhjeje për pengjet hebrenj që mbahen ende robër nga Hamasi në Gaza.

Grupi po kryente një shëtitje në heshtje në solidaritet me pengjet, siç ka bërë që nga sulmi i 7 tetorit. Por protesta paqësore shpejt u shndërrua në kaos kur 45-vjeçari Mohamed Soliman dyshohet se nisi një sulm të dhunshëm ndaj një grupi prej rreth 30 demonstruesish, duke përdorur një flakëhedhës dhe kokteje molotov.