DURRËS, 5 nëntor 2014– Federata Serbe e Futbollit ka bërë të ditur se ka marrë interpretimin juridik të vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri të 14 tetorit të kaluar, ndërkohë që ka bërë të ditur se interpretimi i vendimit është dërguar nga UEFAdhe në Federatën Shqiptare të Futbollit. Gjithsesi pala serbe siç referon e përditshmja “Kurir” nuk ka informacion në lidhje me arsyen se përse Shqipëria e humbi ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, por shpjegon arsyet e ndëshkimit për Federatën Serbe të Futbollit. Sipas arsyetimit të dërguar nga UEFA në Beograd Serbia u ndëshkua nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës me zbritjen e tre pikëve në klasifikimin e Grupit I, për futjen e tifozëve në fushë, hedhjen e fishekzjarrëve, hedhjen e sendeve të forta dhe futjen e tifozit me karrige në fushë si dhe futjen në territorin e lojës të Ivan Bogdanov. Gjithmonë duke ju referuar lajmit të “Kurir” ndeshja u fitua në tavolinë 3-0 nga Serbia, por skuadrës së tyre ju zbritën 3 pikët për shkak të organizimit të dobët, dhe gjithashtu Serbisë i duhet të luajë 2 ndeshjet e radhës pa tifozë. Zv/Sekretari i Federatës Serbe, Nebojsa Ivkovic bëri të ditur marrjen e interpretimit të vendimit të UEFA-s ndërsa deklaroi për “Kurir”: “Kemi marrë një shpjegim prej 24 faqesh, duhet të shqetësohemi më shumë me pasojat por shkaku kryesor është ndërprerja e ndeshjes dhe droni me një përmbajtje politike. Në shpjegimin që i është dhënë Federatës Serbe të Futbollit nuk thuhet se përse Shqipëria humbi ndeshjen, ky shpjegim është adresuar në Tiranë. Sa për dënimin tonë, tre pikët na janë zbritur siç referohet për futjen e fansave në fushë, hedhjen e mjeteve piroteknike, futja e stolave në fushë dhe hyrja e Ivan Bogdanov në terrenin e lojës. Skuadra jonë ligjore po punon për apelimin. Duke filluar nga sot kemi 5 ditë kohë për të shkruar një ankesë dhe t’ia dërgojmë atë Komisionit të Apelit të UEFA-s”.
Deklarata e Zv/sekretarit të FSS, Nebojsa Ivkovic konfirmon se në vendimin e Komisionit të Disiplinës të UEFA-s për ndeshjen Serbi-Shqipëri nuk janë marrë aspak parasysh thirrjet raciste për genocid ndaj shqiptarëve që u konstatuan gjatë gjithë kohës në stadiumin e Partizanit të Beogradit si dhe parullat e shumta politike që u shfaqën në shkallët e tij nga ana e tifozëve serbi, ku përfshiheshin thirrjet “Kosova është Serbi”, apo dhe foto të kriminelëve të luftës.





