Ditën e djeshme, dy Federatat e Gjahtarëve, Shoqatat e Operatorëve të Gjuetisë Turistike dhe Shoqata e Shitësve të Armëve dhe Materialeve të Gjahut, morën pjesë në një takim në Ministrinë e Mjedisit, për një dëgjesë publike në lidhje me një projektligj që MM-ja kishte përgatitur për një përsëritje të mundshme të një Moratoriumi të dytë, por këtë herë për pesë vjet.
Sipas Federatave të Gjahtarëve, Ministria po tentonte ta realizonte këtë takim pa praninë e medieve, pa një opsion të një projektligji tjetër për hapjen e gjuetisë dhe me një vendim të paracaktuar.
“U përpoqëm të japim alternativat tona, por në këto kushte ishte një formalitet për të kaluar radhën. Të gjendur në këto kushte dhe në mes të një debati të nxehtë, ata nuk pranuan asnjë datë tjetër për të ardhur në një takim të përgatitur më mirë, duke plotësuar kushtet tona, ne lexuam një deklaratë dhe u larguam të gjithë në mënyrë demonstrative. Prandaj nuk ka më rrugë tjetër përveç asaj të tubimit masiv dhe më pas rruga ligjore në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Me këtë rast, ju theksojmë dhe një herë të vini të gjithë në mënyrë masive, në tubimin paqësor të të gjithë gjahtarëve të Republikës, ditën e enjte më 11 shkurt ora 10.30, para Korpusit Universitar, në sheshin “Nënë Tereza” deri te Kryeministria. Lutemi të mos mungoni dhe të tregoheni të kulturuar dhe të mos e ngatërrojmë me politikën”, është thirrja që ngrenë Federatat e Gjahtarëve.