31 tetor 2015 – Françesko Baranka, sekretar i pergjithshëm i “Federbet”, me deklaratat e tij kërkon të hedhë poshtë mitin që ka ngritur Skënderbeu në futbollin shqiptar. Në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El Confidencial”, italiani Baranka thekson se dyshimet për sfidën ndaj Sportingut të Lisbonës janë vetëm maja e ajsbergut.

“Zakonisht në një ndeshje të manipuluar, një futbollist bën një veprim jashtë logjikës duke shkaktuar penallti ose duke bërë faull për karton të kuq. Bastet vendosen fillimisht në Azi dhe me këtë sistem në Europa Ligë, fitimi është nga 5 deri 10 milionë euro”, thekson Baranka për “El Confidencial”.

“Federbet”, nga ana e saj, jep të dhëna për ndeshjet e tjera të Skënderbeut gjatë rrugëtimit të saj në Champions League. “Ishin paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve, kur Skënderbeu luajti me Crusaders të Irlandës së Veriut. Në minutat e fundit nisin baste jo normale që skuadra shqiptare do të pësojë gola dhe normalisht kjo vlerësohet shumë në sistemin anglez, por kishte kaq baste sa u ul në 1.9. Vlera e basteve në vetëm pak minuta ishte nga 1 deri 3 milionë euro”, shkruhet në “email”-in që “Federbet” i ka dërguar të përditshmes spanjolle.

Formacioni korçar është përfshirë në optikën e “Federbet”, për dyshime të forta mbi manipulimin e rezultatit, por duhet nënvizuar se nuk ka për momentin asnjë fakt i cili njollos kampionët e Shqipërisë.“Federbet” është një organizatë që është themeluar nga kompanitë e basteve për të raportuar mbi fluksin e parave të vëna në mënyrë të dyshimtë dhe duket se ka patur vërtet sukses në zbulimin e manipulimeve. Në fund, “El Confidencial” ka nënvizuar se provoi në mënyrë të pasuksesshme që të merrte versionin e Skënderbeut, ndërsa UEFA nuk pranoi të komentojë.

/portali DurresLajm/