TIRANE – Deputetja e PS-së, Ermonela Felaj, i ka kërkuar sot organit të akuzës që të nisë hetimet mbi vajzën e kryeministrit, Argita Malltezi Berisha. Sipas Felajt veprimet e kryera nga vajza e kreut të qeverisë përmbajnë elementë të veprës penale.
Deputetja socialiste u ndal gjatë deklaratës së saj në akuzat e bëra këto ditë në media nga selia rozë kundrejt Argita Berishës, për të ardhurat shumë të larta të siguruara prej saj përmes mësimdhënies si dhe për gjobën 3 milion dollarë që vajza e Kryeministrit i kishte kërkuar biznesmenit pakistanez Zafar Ansar në këmbim të firmës së babait të saj.
“Për të gjitha këto arsye, ne i bëjmë apel prokurorisë që të nisë hetimin mbi këtë çështje të qartë konflikti interesi dhe kapjeje të shtetit e që në vetvete përmban elemente të qartë të veprave penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit”,- tha Felaj.