ALABAMA– Një nxënës shkolle 6 vjeç, i cili u rrëmbye të martën nga 65-vjeçari Jilly Lee Dykes vijon të mbahet peng në një bunker në Alabama, SHBA.
Hetuesit kanë shpërndarë foton e parë të maniakut. Ai quhet Jimmy Lee Dykes dhe është një–ish veteran i luftës së Vietnamit.
Vogëlushi 6-vjeçar, Ethan bashkë me pengmarrësin e tij ndodhen në një bunker nëntokësor pranë banesës së 65-vjeçarit.
Në ‘dhomën’ nëntokësore, e ndërtuar nga Dykes ka energji elektrike, ushqim dhe televizor.
I bllokuar aty nga ish-veterani i Vietnamit, fëmija qan dhe kërkon vazhdimisht prindërit.
Policia e mbërthyer prej 5 ditësh në këtë zonë ka mundur që nëpërmjet një tubi plastik që lidhet me bunkerin, i ka dhënë fëmijës ilaçet, pasi është i sëmurë, një fletore dhe një pako me ngjyra.
Mësohet se kamionisti në pension, mund të ketë brenda në bunker ushqim të mjaftueshëm për të paktën 8 ditë.
Agjentët e FBI-së të specializuar në këtë fushë mbajnë kontaktet me 65-vjeçarin, i cili ende nuk ka qartësuar se çfarë kërkon në këmbim të lirimit të fëmijës Ethan, por është i njohur për prirjet e tij anti-qeveritare.
Të martën, veterani i luftës së Vietnamit rrëmbeu të miturin nga një autobus shkolle, pasi vrau me armë zjarri shoferin.
Dyshohet se 65-vjeçari po mban peng fëmijën për të parandaluar arrestimin nga policia.
Të mërkurën Jilly Lee Dykes duhej të paraqitej në gjykatë pasi akuzohej se kishte kërcënuar me armë një person.