Fqinjët kanë treguar momentet e para të zjarrit në një banesë private pranë maternitetit, ku humbi jetën foshnja 6-muajshe.
Sipas tyre, në banesë jetonin gjyshja, vajza e saj dhe nipi 6-muajsh. Por në momentin e zjarrit ishin vetëm gjyshja Janulla Lilaj dhe nipi.
Fqinjët tregojnë se foshnja u nxorr gjallë nga banesa që ishte përfshirë nga flakët, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital.
“Janulla jetonte me gocën që kishte këtë fëmijën 6-muajsh. Goca ishte e divorcuar, por ishin familje që nuk trazonin. Qante çuni i vogël me ulërima, foshnja, deshi goca të hynte brenda me ujë, por e pamundur.
Janulla doli e para. Çfarë ke, i tha një çun. Kam qenin, e harroi djalin. Pastaj u kujtua, është djali. Nëna e fëmijës kishte dalë të pinte kafe.
Kur kam dalë unë, tymi shtëllunga-shtëllunga deri te sheshi “Shtraus”. Kur dolëm ne, goca mori urgjent zjarrfikësen. Kur e kanë nxjerrë çunin, po dridhej dhe qante. Fëmija ishte gjallë kur doli. Por kishte vdekur në spital”, tregon një banore e lagjes.
Zjarri në banesë ra mbrëmë rreth mesnatës. Zjarrfikësit dhe grupi hetimor janë duke punuar për të zbuluar shkaqet.