SHBA, 3 maj 2014 – U bë hero në një moshë shumë të njomë, për shkak të një krimineli që deshi t’i përdhunonte motrën.

Kjo është historia e Martin Cobb, vogëlushit 8 vjeç, nga Virginia, i cili u godit për vdekje me gur, ndërsa ndërhyri për të shpëtuar motrën e tij nga një përdhunues. Gjithçka ndodhi në oborrin e prapëm të shtëpisë së familjes Cobb, ku Martin së bashku me motrën  e tij 12 vjeçare po luanin.

Një djalë pak më i madh hyri në oborrin e tyre dhe iu turr motrës së Martin duke dashur ta përdhunonte. Në këto kushte, megjithëse më i vogël në moshë dhe në trup se agresori, Martin e sulmoi këtë të fundit. Ndërsa ishin kapur trup më trup, agresori godet me gur në kokë Martin, i cili humbi jetën në moment.

Përdhunuesi u kap nga policia, ndërkohë që motra e Martin u shoqërua në spital për të marrë veten nga shoku i pësuar.

“Deshi të mbronte motrën, të ishte për të një mburojë njerëzore deri në fund. Ishte një fëmijë i adhurueshëm, nuk e meritonte këtë. Po mundohem të kuptoj çfarë sensi kishte e gjitha kjo”, – thotë tezja e djalit, Geraldine Pitchford, ndërsa qan për humbjen tragjike të tij.   

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/