Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 27 Korrik 2021 në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku një vajzë e sapolindur humbi jetën pas dy ditësh, pasi gjinekologët përdorën pajisjen Forceps për ta tërhequr bebin. Foshnja u dëmtua në kokë dhe pas dy ditësh nuk arriti të mbijetonte.
Adelina Zeqiri, nëna e foshnjës, tregon se gjatë shtatzënisë ishte ndjekur nga doktoresha Aida Hoxha dhe gjithçka kishte shkuar pa probleme. Meqë bebi ishte mbipeshë, ata kishin vendosur të bënin lindje me operacion, por dhimbjet e filluan më shpejt dhe Adelina shkoi në maternitet.
“Në Korrik të vitit 2021 kam humbur vajzën në lindje dhe është komplet për faj të mjekëve. Gjatë shtatzënisë nuk kam pasur asnjë problem. Kam shkuar në maternitet dhe mjekët nuk kanë ndërhyrë, por më kanë thënë të pres turnin tjetër. Kur kam qenë në gjendje shumë të keqe, më kanë bërë operacion me Forceps, një pajisje metalike që, sipas Adelina, nuk duhej përdorur në këtë rast. Fëmija u dëmtua në kokë dhe pas dy ditësh vdiq”, tregon ajo.
Pas ngjarjes, çështja u referua në Komisariatin numër 1, ku familjarët akuzuan stafin e maternitetit për mjekim të pakujdesshëm. Pavarësisht hetimeve, asnjë përgjegjësi nuk është marrë dhe procesi ende nuk ka përfunduar, pasi Mjekësia Ligjore nuk ka dorëzuar autopsinë tek Prokuroria. Prej gati katër vitesh, çështja është ende në pritje të një vendimi.