Sigurisht që i mbani mend kohërat kur ende nuk keni qenë prind, dhe ju ka ndodhur që në vende publike të jeni dëshmitarë e fëmijëve të llastuar që bërtasin, vetëm e vetëm t`i plotësojnë tekat e tyre vetanake.
Sigurisht që pas kësaj skene keni thënë me vete se fëmija juaj nuk do të bëhet i tillë.
Ne të gjithë mendojmë ashtu para se të bëhemi vetë prindër, dhe për një gjë të tillë jemi vetë fajtorë, pasi më poshtë do të lexoni 5 gabimet prindërore që mundësojnë llastimin e fëmijëve:
- Gjithmonë shpejtoni për diku…
Nëse gjatë rutinës së përditshme jemi gjithmonë në ngutje, fëmija me siguri që është nën stres të vazhdueshëm, ngaqë edhe ju vetë jeni nën stres në situata të tilla. Ngutia dërgon mesazh të gabuar, e ai është se fëmijët nuk janë të denjë për kohën në të cilën jetojmë. Prandaj herën tjetër ndaloni pak, jepuni fëmijëve kohën e duhur që të hanë mëngjesin dhe ta hanë vetë. Kur të vijë koha për t`u nisur diku i “mblidhni” si në lojë e jo më nervozitet, kur i vendoni në gjumë është mirë t`u tregoni ndonjë përrallë apo tregim nga jeta juaj. Asgjë nuk do ju ikë, përveç fëmijërisë së fëmijëve tuaj.
- Mungesa e orarit të gjumit
Gjumi nuk është diçka që mirëpritet nga fëmijët, pasi kanë dëshirë të gjejnë arsyetime që të rrinë zgjuar edhe ca orë. Fëmijës që i mungon gjumi dhe pushimi, nuk është fëmijë i lumtur dhe qan për imtësirat më banale, andaj prolongimi i kohës së gjumit vetëm pse fëmija juaj ju lutet, apo edhe për arsye se keni punë ende të pambaruara, është rruga e sigurt e krijimit të një fëmije të llastuar.
- Orari i stërngarkuar
Shoqëria në të cilën jetojmë është gjithonë në ngutje dhe me orar të stërngarkuar, gjë që ndikon keq te fëmijët tanë sepse e çrregullon rutinën e tyre të sigurt. Kur të rriten, fëmijët shpeshherë i ngarkojmë më tepër se sa duhet me aktivitete të ndryshme dhe me evente që “nuk duhet t'i humbasin”, me çka ndodh që të shmangen nga gjërat elementare dhe të rëndësisë primare. Nëse shpeshherë ua ndryshojmë rutinën të vegjëlve, provoni që ta bëni një gjë të tillë gradualisht.
- Qëndrim i keq
Qëndrimi i keq i prindit është shumë i rëndësishëm pasi qëndrimi i fëmijës varet nga ai. Mos e nënvlerësoni ndikimin tuaj te fëmija juaj, nëse dëshironi fëmijë të lumtur, bëhuni prindi që rezaton energji pozitive.
- Mungesa e kontaktit të syve
Kontakti i thjeshtë i syve dhe koha që ua kushtojmë fëmijëve, mund të bëjnë mrekulli dhe të qetësojnë tensionin në situata të ndryshme kur fëmija është “në pëlcitje e sipër”. Veç kësaj, është mirë që kohën të cilën ua kemi kushtuar fëmijëve mos ta kalojmë duke shikuar në celular qoftë edhe për një minutë, apo të bëjmë ndonjë punë tjetër “paralelisht”, fëmijët e meritojnë përkushtimin tonë të plotë.
- “Shpërblejmë” qarjen
Askush nuk dëshiron të dëgjojë vajin dhe histerinë e një fëmije, dhe mund të biem dakord të gjithë, se vaji është tingulli më i tmerrshëm në univers. është më lehtë t`ia plotësoni tekat fëmijës sesa të dëgjoni gjithë atë dramë. Mirëpo, ajo çfarë i mësojmë fëmijët me një veprim të tillë, pos atë se me histeri dhe me vaj mund të fitojnë çdo gjë që dëshirojnë. Fëmijët mësojnë shpejt dhe menjëherë do e kuptojnë se mjafton një britmë për të marrë atë që dëshirojnë, andaj është më mirë të duroni vajin. /Mapo