4 qershor 2015 – Fëmijët “bëjnë festë” në këtë periudhë. Në mungesë të aktiviteteve jashtëshkollore, ata gjejnë argëtim në fushatat e kandidatëve. Bashkë me të rriturit, që kanë mundësinë e votës më 21 qershor, të miturit u bashkohen mitingjeve e takimeve elektorale, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta. Ata zënë vendet e fillimit, për të parë më mirë, ndonëse premtimet dhe akuzat që bëjnë rivalët kundër njëri-tjetrit për ta nuk perceptohen dot.
Nga ana e të dy partive kryesore është bërë apel që fëmijët të qëndrojnë jashtë fushatës, por në Durrës faji duket se i ngelet vetë prindërve që i lejojnë. Fotografitë që po publikojmë janë marrë sot nga takimet e dy kandidatëve për bashkinë e madhe të Durrësit, si ajo e socialistit Vangjush Dako, ashtu dhe e demokrates Grida Duma.
Nga ana e kandidatëve është vënë theksi te krijimi i hapësirave të përshtatshme për fëmijëve dhe i qendrave kultorore e sportive. Nëse këto mbeten premtime, të miturit edhe në zgjedhjet e ardhshme do jenë prapë pjesë e dekorit elektoral.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





