24 prill 2015 – Vallet shqiptare e kostumet shumëngjyrëshe kanë shkëlqyer këto ditë në Sofie të Bullgarisë, ku po zhvillohet  festivali folklorik ndërkombëtar për fëmijë. 20 fëmijë të Qendrës Kulturore të Durrësit, (10 vajza dhe 10 djem) janë ngjitur në skenë, duke transmetuar në botë traditën shqiptare.

Nën koreografinë e Arian Plakut, ata kanë performuar në 45 minuta program, ku në pjesë të ndara në 15 minuta secilën, interpretojnë valle të Shqipërisë së Mesme, asaj të Jugut e të Veriut.

Pjesëmarrësit si dhe ndjekësit e këtij festivali janë mahnitur kur kanë parë fëmijët shqiptarë të luajnë vallen e Osman Takes, të Tropojës apo Napolonin.

I pyetur nga Agjencia “Dyrrah”, koreografi i njohur durrsak, Arian Plaku, tregon se festivali nuk është kompetitiv, por aty prezantohet secili shtet me traditën e tij të folklorit.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës merr pjesë për herë të parë në këtë festival, i cili nisi më 22 prill dhe mbyllet më datë 27.

Shtete të tjera pjesëmarrëse janë edhe Turqia, Polonia, Rumania, Bosnjë-Hercegovina, etj.

 

Grupin nga Durrësi e ka pritur dhe ambasadori shqiptar në Sofie, i cili mbajti dhe një fjalim në ceremoninë e nisjes së festivalit ndërkombëtar.

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”