MONAKO– Familja Grimaldi duket se nuk ka mbetur e kënaqur nga filmi që po xhirohet për princeshën Grace Kelly, rolin e të cilës e interpreton aktorja e njohur Nikole Kidman.
Në një komunikatë për shtyp, bijtë e Grace, princi Alberto dhe dy motrat e tij Carolina dhe Stephanie shprehen: “Filmi përmban shumë pasaktësi historike dhe shumë skena nuk i referohen realitetit”.
Duket pra se filmi «Grace of Monaco», i regjizorit Olivier Dahan, ka ngjallur pakënaqësinë e principatës së vogël. Grace Kelly, gruaja e Ranieri III, humbi jetën në vitin 1982, pas një aksidenti automobilistik.
Pakënaqësia e anëtarëve të familjes mbretërore të Monakos duket se është shkaktuar jo vetëm për shkak të pasaktësive historike, por edhe sepse ata nuk janë përfshirë aspak në këtë projekt, dedikuar prindërve të tyre.
Në komunikatën për shtyp ata theksojnë se nuk janë marrë parasysh kërkesat e shumta që ata u kanë drejtuar producentëve të filmit për të bërë ndryshimet e nevojshme në skenar.
Filmi, xhirimet e të cilit nisën vitin e kaluar në Costa Azzurra, Liguria dhee Paris, pritet të dalë në sallat e kinemasë vitin e ardhshëm.
Ngjarjet e filmit janë përqendruar në vitin 1962, kur Grace Kelly, nënë e dy fëmijëve, kishte nostalgji për karrierën e saj kinematografike por u detyrua për arsye shtetërore të refuzonte ofertat e Hollivudit.