Rrugët e qytetit të Durrësit këtë të dielë janë gjallëruar nga fëmijët!
Pas të moshuarve, sot ishte radha e nënave me fëmijë deri në 10 vjeç për të dalë nga shtëpia deri në orën 11:00 në këmbë në qendrat urbane.
Edhe në Durrës, të shumta ishin nënat të cilat pas më shumë se një muaji në shtëpi nga frika e koronavirusit, kanë marrë për dore të vegjlit e tyre dhe kanë shijuar orët e lirisë.
Disa nëna mbajnë maska mbrojtëse e disa të tjera jo, paraditen e sotme kanë mbushur sheshin “Liria” dhe shëtitoren “Taulantia” teksa lozin me fëmijët e tyre.
Duke ruajtur distancën nga njëra-tjetra, nuk mund të mungonin edhe lojërat me rërë në bregdetin e bukur të Currilave që prej kohësh ishte i heshtur dhe pa jetë ashtu si pjesa tjetër e qytetit.
Por krahas nënave me fëmijë, edhe në Durrës kishte edhe baballarë që kanë thyer karantinën për të shoqëruar fëmijët në xhiro, të cilët duhet të qëndronin të mbyllur brenda deri të hënën në orën 05:00.





