Rruga “Aleksandër Goga” nga Spitalla në Porto Romano është një prej nyjeve më të rrezikshme për të qarkulluar. Rreziku ju kanoset banorëve dhe kryesisht fëmijëve të shkollës, pasi me qindra autobotë qarkullojnë në këtë segment çdo ditë duke bërë transportin e lëndëve djegëse në rrugën që përshkon të gjithë zonën.

Transporti i lëndëve djegëse, naftë, benzinë e gaz, nga porti i karburanteve nëpërmjet autobotëve bëhet pikërisht në rrugën që përshkon të gjithë zonën e mbipopulluar, e në të cilën janë edhe disa objekte shkollorë.

Problematika ngrihet edhe nga komandanti i shërbimit zjarrfikës, Fatmir Tare, i cili i bëri apel strukturave të shtetit për marrjen e masave që të shmangen tragjeditë që vijnë nga rrethana të tilla.

Tare tha se “”Aleksandër Goga” është një rrugë e ngarkuar në Durrës jo vetëm prej makinave private, ceremonive mortore, transportit të nxënësve por edhe të transortit të karburanteve. Del si detyrë e menjëherëshme hapja e një rruge dytësore, siç është ajo nga Kampusi i Spitallës në Porto Romano sepse është një alarm e një kujtesë për institucionet shtetërore, qarkullimi i autobotëve të karburanteve së bashku e në të njëtën rrugë me fëmijët e kësaj zone”.

Tare mori shembullin e fëmijëve të shkollës “Neim Babameto”, të cilëve ju duhet të zhvendosen me autobuzë çdo ditë nga Spitalla në gjimnazin “Leonik Tomeo” për të vijuar mësimin turni i dytë i pasdites.

Nxënësit e kanë shumë të vështirë zhvendosjen pasi rruga që duhet të përshkojnë është një nga arteriet më të mbingarkuara në Durrës. Vetë prindërit një ditë më parë u shprehën të alarmuar për këtë vendim, pas shembjes së detyruar të shkollës 9-vjeçare, për shkak të dëmtimeve të shumta nga tërmeti i 26 nëntorit.

K.H.