Një grup fëmijësh 12–14 vjeç ka kthyer një lagje të Shkodrës në zonë të frikës, duke kërcënuar, goditur dhe grabitur banorët e zonës. Sipas denoncimeve, fëmijët kërkojnë para me forcë dhe sulmojnë këdo që nuk iu jep, ndërsa policia shpesh detyrohet t’i lirojë menjëherë, për shkak të moshës së tyre.
Një i ri rrëfen: “Më rrethuan, më goditën dhe më detyruan t’u jap para. Shkova në polici, por më thanë se nuk kanë çfarë të bëjnë sepse janë minorenë. Kam frikë se do të përfundojë ose unë, ose ata.” Një tjetër banor thotë: “Më goditën në kokë. Erdhën policët, i mbajtën një orë dhe i lanë të lirë. Po vazhdojnë të sulmojnë të tjerët. Jemi të pambrojtur.”
Nëna e njërit prej të miturve 14-vjeçar pranon se djali i saj ka dalë jashtë kontrollit dhe është futur në shoqëri të keqe: “Kam tre fëmijë. Jam e divorcuar dhe punoj gjithë ditën. Nuk kam çfarë bëj më! Djali vjen vonë, nuk më dëgjon, ka probleme me shumë njerëz. Kam shkuar në polici disa herë, u kam thënë ‘futeni në burg’.”
Shkolla e të miturit thotë se ai vijon mësimin rregullisht dhe nuk ka krijuar probleme brenda saj, ndërsa rastet e tij jashtë shkollës ndiqen nga specialistët socialë dhe psikologët. SPZ-ja konfirmon se i mituri paraqitet shpesh në komisariat, por procedurat janë të kufizuara për shkak të moshës së tij. /FiksFareTCH





