Një i ri mbeti i plagosur rëndë dhe është në rrezik për jetën, pasi pronari i një lokali tallava në fshatin Dishnicë të Korçës e masakroi atë më shkop bejsbolli.

Sipas policisë, ai ka marrë plagë të rënda në pjesën e kokës si pasojë e rrahjes barbare.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm kur 23-vjeçari me inicialet M.T., është konfliktuar me 41-vjeçarin Olsi Zyberi dhe për pasojë ky i fundit e ka goditur me sende të forta në kokë duke i shkaktuar dëmtime serioze.

Shkak i konfliktit është bërë një grindje banale ku personat edhe nën efektin e pijeve alkoolike janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke përdorur edhe sendet e forta.

Motivet e ngjarjes mendohet të jenë për shkak të konsumit të alkoolit, por nuk përjashtohet edhe dyshimi që shkak të ketë qenë ndonjë femër, shkruan “Panorama”.

I plagosuri, pas ndihmës mjekësore të marrë në Spitalin e Korçës, u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar mjekësore.