Diana Bardhi është një inxhiniere ndërtimi që është afirmuar që herët në këtë sektor, ku meshkujt kanë dominuar gjithnjë. Krahas angazhimit në biznesin e saj privat ajo punon si asistente pedagoge në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, një ëndërr e vjetër e saj, që vetëm tani vitet e fundit po merr formë. Siç rrëfen vetë Diana nuk ka qenë aspak e lehtë të depërtojë në këtë botë mashkullore që ende sot e kësaj dite vazhdon t’i ruajë me fanatizëm pozitat e forta në këtë sektor. Ajo që ndoshta Dianës i ka mbetur peng është fakti se nuk ka pasur që më parë mundësi t’i përkushtohet studimeve pasuniversitare, pasi në degën e saj masterat jepen me pikatore.

Krahas angazhimit në firmën tuaj të ndërtimit ju jeni asistente pedagoge në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. A ka qenë e vështirë për ju të mbërrini këtu ku jeni sot?

Unë jam diplomuar në vitin 1993 në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe për mua ka qenë sfidë që të punoja në këtë sektor. Në atë kohë, në Durrës operonte vetëm një firmë private ndërtimi dhe ajo nuk punësonte femra në këtë sektor. Unë do t’i mbetem gjithnjë mirënjohëse një studioje private që më hapi dyert dhe më dha mundësi të punoja. Unë kam qenë ndër 10 studentët më të mirë të diplomuar atë vit dhe 2 muaj para diplomimit kemi marrë pjesë në një trajnim në Greqi. Ishte hera e parë për ne që po shkonim jashtë shtetit dhe ishte një eksperiencë mjaft e vlefshme.

Atje kuptuam se një pedagog krahas mësimdhënies angazhohej edhe në aktivitetin e tij privat, ose më saktë angazhohej në shumë gjëra njëherësh. Në atë kohë mbrojta edhe gjuhën angleze dhe krahas angazhimit në studion private të Edgar Frashërit dhe Hajdar Kovaçit nisa të jap mësim në shkollën e mesme “Leonik Tomeo”.  Pas dy vjetësh, në 1996 hapa firmën time të ndërtimit. Të operoje në treg në atë kohë ishte e vështirë, sepse shumë pak femra ishin të angazhuara në atë sektor, por dua të theksoj këtu mbështetjen e madhe që kam pasur nga im shoq, që vinte nga një background ekonomik. Kemi mundur të jemi të suksesshëm në treg me cilësi, korrektësi dhe çmime konkuruese.

Ju operoni prej shumë vitesh në sektorin e ndërtimit, një nga më të prekurit nga kriza. Kjo krizë që ka mbërthyer këtë sektor ju duket afatshkurtër apo afatgjatë?

Gjërat unë dua t’i shoh me optimizëm, megjithëse nuk jam shumë natyrë optimiste. Sipas parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare financiare vitin e ardhshëm rritja ekonomike do të jetë 1.8% dhe kjo ndoshta do të japë një impakt pozitiv. Amerikanët e kanë cilësuar këtë një krizë gjithëpërfshirëse dhe ajo është prezente gjithandej. Një faktor tjetër që ndikon në krizën e sektorit të ndërtimit është se në vendin tonë kërkesë-oferta nuk mund të jetë gjithnjë në të njëjtat nivele, sepse tashmë tregu është i ngopur. Por pavarësisht këtij fakti ajo që më bën përshtypje është se firmat e ndërtimit vazhdojnë të mbajnë çmime të larta, të fryra. Ndoshta firmat do mund të dilnin vetë nga kriza nëse do t’i ulnin çmimet. Duke dashur të rrisin fitimet e tyre ato vazhdojnë të mbajnë çmime të larta duke bllokuar tregun. Pastaj një faktor tjetër është edhe kriza që ka përfshirë fqinjët, atje ku punojnë një pjesë e mirë e emigrantëve tanë, që janë ndër blerësit kryesorë të apartamenteve të reja të banimit.

Duke u kthyer tek jeta jote private. Sektori ku ti punon shpeshherë nuk njeh orare. Sa sakrifica të është dashur të bësh në jetën tënde familjare?

Nuk mund të them që ka qenë e lehtë, por unë si karakter jam femër e fortë, një njeri që punon fort dhe shumë. Duke qenë se gjithnjë kam punuar me pasion nuk e kam pasur të vështirë të përballoj si familjen ashtu edhe karrierën. Unë kam dy djem, Patrik dhe Kevin, të cilëve u kam qëndruar gjithnjë pranë, pasi kam dashur të jem edhe nënë, edhe mësuese. Nga ana tjetër prindërit e mi dhe ata të bashkëshortit tim kanë qenë dy krahë të fortë që më kanë mbështetur dhe më kanë ndihmuar. Pavarësisht intensitetit të punës jam munduar që një apo dy orë t’ia kushtoj fëmijëve të mi, familjes sime.     

Ju punoni në një profesion që zakonisht shihet si eksluzivitet i meshkujve. A jeni ndier e paragjykuar, a ju kanë parë me skepticizëm?

Pikë së pari unë në këtë rast do doja të falenderoja tim shoq që gjithnjë më ka mbështetur në punën time. Pastaj dua të shtoj se në kantier e kam parë veten si mashkull dhe shpeshherë nuk kam përtuar, por kam punuar përkrah me burrat. Nganjëherë kam drejtuar betonieren apo vinçin. Mund të duket e çuditshme që “bosja” të bëjë këto gjëra, por unë nuk e kam pasur problem.

Paragjykimi ndaj femrave në poste drejtuese ose të angazhuara në biznese private është fenomen vetëm shqiptar apo dhe botëror?

Një profesor norvegjez që kam njohur në Greqi e shihte që unë përpiqesha shumë, që këmbëngulja të arrija objektivat e mia dhe një ditë më tha: “Diana unë e shoh që t’i i bën gjërat me pasion, por mos harro që kjo është botë e meshkujve”. Kjo frazë e thënë në qershorin e 1993 më ka vënë gjithnjë në sfidë me veten, pasi unë doja të arrija aty ku synoja. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë femrat po përpiqen të evidentohen, të arrijnë ato poste që vite më parë nuk konsideroheshin si të mundshme për to. Vetëm se dua të theksoj se përveç faktit që meshkujt shpesh përpiqen të na pengojnë një pengesë tjetër për ne është se femrat nuk arrijnë  të lobojnë mes tyre. Unë vetë personalisht ndihem mirë nëse një shoqe, një mike apo një kolege e imja ecën përpara dhe jam e gatshme ta mbështes dhe ta ndihmoj. Por shoh se kjo gjë nuk ndodh me të gjithë, sepse edhe mes miqve po hyjnë xhelozitë dhe interesi.  

Sipas teje cilat janë rrugët që një femër duhet të ndjekë për të bërë karrierë, për t’u afirmuar?

Nëse femrat besojnë në aftësitë e tyre atëherë mund të bëjnë përpara. Të rinjtë duhet të orientohen drejt shkollës. Moshat e reja kanë shumë dritare të hapura që mund t’i shfrytëzojnë, por duhet të kenë gjithnjë parasysh shprehjen: Ku po shkoj dhe si do të shkoj aty? Nëse dikush e ka të qartë se ku do të arrijë atëherë gjen edhe mënyrat se si të arrijë aty.