Një pjesë e konsiderueshme e filialeve të bankave të nivelit të dytë në Durrës kanë në poste drejtuese femra. Ky fakt tregon më së miri se gjinia femërore ka kapacitetet e duhura dhe aftësitë profesionale për të drejtuar këtë sektor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e një vendi. Një ndër femrat që drejtojnë filialet e bankave në qytetin tonë është edhe Vilma Lila. Ashtu siç rrëfen ajo vetë në një intervistë për gazetën “Dyrrah” në vitet e para, kur nisën të funksionojnë bankat private, skepticizmi i njerëzve kur shihnin një femër në poste drejtuese ishte një fenomen shumë i prekshëm. Por me emancipimin e shoqërisë duket se ka ndryshuar edhe mentaliteti i njerëzve, megjithëse herë pas here ai tenton të shfaqet sërish. Sipas Lilës krijimi i një ambienti komod pune dhe bashkëpunimi reciprok mes anëtarëve të stafit është gjëja primare që garanton mbarëvajtjen e punës. Ndërsa shprehet se angazhimi i sa më shumë vajzave dhe grave dhe roli i tyre aktiv në sektorë të ndryshëm apo në aktivitete private është një tregues mjaft i mirë për shoqërinë tonë që vuan ende tranzicionin e zgjatur. Lila u bën apel femrave që të guxojnë më shumë në rrugën që kanë zgjedhur të ndjekin dhe në të njëjtën kohë të jenë sa më profesioniste, sepse kështu do mund të nxjerrin në pah gjithë potencialin e tyre.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Karriera ka ardhur krejt natyrshëm. Mendoj se më e vështirë ka qenë pjesa e gruas. Pra, të jesh grua, nënë, amvisë dhe më pas të drejtosh një bankë nuk është një gjë që ndodh rëndom. Banka është një biznes, i cili kërkon shpenzim energjish dhe kohe. Përsa i përket problematikave në lidhje me përballjen me eprorët apo vartësit meshkuj, banka është një institucion standarti, ku konkurojnë idetë dhe risitë dhe këto vlerësohen nga një bord, të cilit nuk i intereson nëse je vajzë apo djalë, por vlerëson rezultatet që sjell.
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Sigurisht që kam sakrifikuar dhe vazhdoj të sakrifikoj. Shpeshherë në bankë nuk shihet orari, pasi proçedura ditore është e tillë që duhet të përfundojë çdo gjë brenda ditës dhe nuk mund të lihet për të nesërmen. Nga ana tjetër, tregu bankar është bërë shumë konkurues dhe për të qenë atraktiv dhe për t'iu përgjigjur nevojave të klientelës, përveç të tjerave duhet të konkurosh edhe me shpejtësi në përfundimin e një proçedure që dmth punë edhe jashtë orarit zyrtar. Gjithashtu, pjesëmarrja në trajnime apo specializime për periudha relativisht të gjata larg familjes është një tjetër aspekt. Por familja më ka mirëkuptuar dhe ka qenë një ndihmë e madhe në të gjitha hapat e hedhura.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Nuk më bën përshtypje. Ndonëse më duhet të them se krahasuar me periudhën e 14 viteve më parë, kur kam filluar punë në sektorin bankar, ky mentalitet ka ndryshuar shumë. Kur ndodh, përpiqem të jem sa më profesioniste, korrekte si në komunikim ashtu edhe në ofrimin e produkteve të bankës apo zgjidhjen e problemit të ndodhur.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Nuk mendoj se mund të flitet për vështirësi të kësaj natyre. Banka është një biznes i nivelit të lartë, i cili kërkon nivel profesionalizmi, që nga operatorët deri tek drejtuesit. Vështirësitë krijohen nga konkurenca, e cila është krejt normale. Nga ana tjetër, mund t'ju them se vajzat ndihen mjaft komode në biznesin e bankës. Kjo veç të tjerash edhe për përqendrimin, këmbënguljen dhe natyrën detaiste, e cila më shpesh gjendet tek natyra femërore. Gjatë gjithë periudhës sime në pozicione drejtuese jam përpjekur t'i ofroj stafit (vajza dhe djem) gjithë eksperiencën dhe suportin tim. Nga ana tjetër, kam qenë shumë e rreptë në zbatimin e proçedurave. Kjo do të thotë që kam krijuar një staf me të cilin ndihem shumë mirë, kur punoj dhe zbatoj detyrën dhe, së bashku, i japim zgjidhje edhe problemeve më të vështira.
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Mendoj se është një tregues shumë i mirë që numri i grave të angazhuara në jeten publike dhe sociale sa vjen e shtohet. Mund t'ju them gjithashtu se një pjesë e bizneseve e kërkojnë prezencën e kapaciteteve femërore për të zgjidhur situata të ndryshme. Dhe kjo nuk ndodh vetëm me bankën. E për të ardhur në fund të pyetjes suaj mendoj se zonjat në Shqipëri duhet të guxojnë më shumë dhe për të guxuar duhet të jenë më profesioniste.