Një mrekulli e natyrës po ndodh në bregdetin e Vlorës. Për herë të dytë brenda pak javësh, Dunat e Nartës janë bërë habitat i breshkës detare të rrezikuar Caretta caretta.

– Advertisement –

Foleja e parë, e zbuluar rreth dy muaj më parë, ka përfunduar me sukses procesin e çeljes së vezëve, duke i dhuruar detit të hapur dhjetëra breshka të vogla. Foleja e parë, për shkak se ju nënshtrua procesit të transferimit të folesë, u evidentuan 136 vezë, duke e bërë rastin edhe më të veçantë. Procesi i folezimit zgjati plot 57 ditë dhe është dëshmi se zona e Dunave të Nartës ofron kushte të përkryera për këtë specie të mbrojtur.

Ndërkohë, në fundjavë pritet edhe momenti emocionues i çeljes së vezëve në folenë e dytë, duke shtuar shpresat për rritjen e popullatës së breshkës Caretta caretta në brigjet shqiptare.

Ky është një sinjal i fortë se natyra ende lulëzon kur njeriu i jep hapësirë dhe mbrojtje. Dunat e Nartës po tregojnë se janë jo vetëm një perlë e peizazhit shqiptar, por edhe një strehë e sigurt për një nga krijesat më të lashta të oqeaneve.