Nga Gëzim KABASHI

Ferial Alibali ishte një nga aktoret themeluese të teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Aktorja e njohur ishte një nga interpretet e komedisë “Vajza nga fshati” me të cilën u përurua zyrtarisht teatri I Durrësit.

11 vjet pas ndarjes nga jeta, ky shkrim i hershem synon të rikthejë një nga figurat më interesante dhe më të trishtuara të skenës sonë kombëtare teatrore.

Feriali, në skenën e “Moisiut” në vitin 1953

“Meçule, ky ishte mbiemri i vajzërisë së Ferial Alibalit-tregon Lutfi Hoxha, një nga aktorët veteranë të teatrit të Durrësit. Me këtë mbiemër e njohëm ne kur erdhi në Durrës nga Lushnja, ku kishte lindur dhe kaluar fëmijërinë”.

“Feriali ishte aktore e vërtetë – vijon Lutfiu. Ajo kishte përfunduar Liceun artistik në Tiranë, në degën e aktrimit, në të njejtin kurs me Kujtim Spahivoglin, Pirro Manin, Esat Oktrovën dhe Mihal Luarasin, që u bënë më vonë emrat më të shquar të regjisurës sonë teatrore-thotë Lutfiu.

Kujtimet për shoqen e fëmijërisë dhe rinisë së hershme i ka sjellë kohë më parë edhe Margarita Xhepa, artistja e shquar e Teatrit Kombëtar.

“Me Ferialin kam kujtime shumë të bukura. E kam njohur në qytetin tonë të lindjes, në Lushnje – thotë Margarita. Ishim të reja, nuk dinim se ç’është arti, por e kemi dashur, dhe jemi angazhuar në art.

Përveç aktiviteteve në shkollë, ne kemi pasur edhe Shtëpinë e Kulturës, ku një grup amatorësh merrej me teatrin. Feriali u dallua që në atë kohë-tregon Xhepa për fundin e viteve 1940.

Më vonë, pasi mbaroi Liceun Artistik, ajo u emërua në Teatrin e Korçës, ku ka interpretuar jashtëzakonisht mirë dhe ka pasur disa role”.

“Ferial Alibali ishte mes aktorëve të parë profesionistë të Durrësit, të cilët e fituan këtë status më 11 janar 1953, dita që njihet edhe si data e themelimit të këtij teatri – kujton regjisori veteran i Estradës, Gjergj Vlashi.

Artisti i Popullit Vlashi tregon se regjisori Pandi Stillu, që drejtonte trupën e Teatrit Nacional erdhi në Durrës për të vënë në skenë shfaqjen përuruese dhe bashkë me të erdhi edhe Ferial Meçule, e cila ishte përzgjedhur për njërin nga rolet kryesore në komedinë e Fatmir Gjatës “Vajza nga fshati”.

Spiro Urumi, Kolë Tafili, Meropi Xhoja, Semiha Ishmi, Lazër Murati, Thanas Xhimitiku, etj. ishin disa nga aktorët durrsakë që i dhanë jetë kësaj shfaqje në sallën e vjetër të teatrit, ku deri në vitet e fundit ka funksionuar kinema “14 nëntori”-thotë regjisori i varietesë, Gjergj Vlashi.

Më 12 prill të vitit 1953 trupa “Aleksandër Moisiu” e bashkë me ta edhe Ferial Meçule, u ngjit për herë të parë në skenë me cilësinë e teatrit profesionist. Premiera e komedisë “Vajza nga fshati” të autorit Fatmir Gjata u shfaq me sukses 44 herë dhe ndoq nga 19.648 shikues – dëshmojnë statistikat e teatrit të Durrësit.  

Feriali, Vera dhe Semihaja, shoqet aktore

Feriali, Vera dhe Semihaja ishin shumë shoqe.

Aktorja nga Lushnja ishte bërë tani vajzë Durrësi dhe banonte me qira pranë familjes Toka, në rrugën e Kuminit, shumë pranë qendrës së qyetit.

“Në një pjesë ruse kam qenë partner me Ferialin, ndërsa rolet e prindërve i luanin Margarita Gallani dhe Vlash Kalavaci-kujton fillimet e tij si aktor profesionist Lutfi Hoxha.

Feriali ishte aktore e shkolluar dhe suksesi i saj u ripërsërit në operetën “Erë e lirë” ku ajo këndonte, kërcente dhe aktronte njëkohësisht.

“I përket kësaj kohe dashuria e Ferialit me vëllanë tim, Xhevatin – dëshmon Besnik Alibali, ushtarak në pension. Ata duheshin dhe im vëlla vinte çdo fundjavë nga Tirana për të qëndruar me Ferialin – vijon Besniku.

Menjëherë pas martesës Xhevat dhe Ferial Alibali u vendosën në Tiranë, ndërsa vajza që e preku suksesin që në Durrës do të jepte kontributin si aktore në teatrin më të njohur të vendit tonë. Përkrah saj në Teatrin Popullor tashmë ishin korifejtë e skenës nga Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka te Marie Logoreci e Violeta Manushi. Alibali aktroi në këtë teatër deri në vitin 1975, me 50 role të ndryshme, ndër të cilët spikasin rolet e Zogës, Nastjas, Drandes, Mirës, Hajries, Nicës etj. si dhe në disa nga filmat artistikë shqiptarë të kohës.

Aktrimi i Ferialit do të kujtohet gjatë në intepretimin e plakës Nicë në dramatizimin e mrekullueshëm të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit Ismail Kadare. Me këtë rol do të mateshin më vonë edhe figura të mëdha të teatrit shqiptar dhe të kinemasë botërore, por loja e Ferial Alibalit “jo vetëm që kishte përshtatshmëri të përsosur me rolin, por dhimbja e shpirtit ndjehej tek zëri e portreti i saj, dhe kjo ishte e magjishme – dëshmon kolegia Margarita Xhepa. 

Drama e aktores

Drama e vërtetë shpirtërore e Ferial Alibalit do të konsumohej në heshtje në mjediset e Teatrit popullor, kur në vitin 1975 Xhevat Alibali do të burgosej me një aktakuzë që kishte vetëm një rresht.

“Agjitacioni kundër pushtetit popullor” i kushtoi vëllait tonë 10 vjet burgim në Spaç, ndërsa për fëmijët Neritanin dhe Anilën do të kujdesej vetëm e ëma – tregon Besniku për kunatën e tij, Ferial Alibali.

“Familja u transferua në një nga pallatet pranë Pazarit të Ri në Tiranë, por bashkë me prindët dhe teze Semin (Semiha Ishmi) ne shkonim ti takonim – tregon Neviana, bija e aktorëve Vera dhe Spiro Urumit. Teze Lali, si e thërritnim që fëmijë ishte një grua dhe nënë e jashtëzakonshme, e mbi të gjitha kishte një mirësi të pamatë. Prandaj e deshëm shumë edhe ne të rinjtë-thotë Neviana.

Ferial Alibali, njëlloj si aktorja Edi Luarasi do të punonte për vite me radhë si rrobaqepëse për të mbajtur familjen, ndërsa kolegët e saj do të përpiqeshin me shpirt për ta mbajtur si garderobiere në Teatrin Popullor.

Pasi doli në pension Ferial Alibali nuk desh të kthehej më në skenën ku ishte rritur dhe ku bashkë me emocionet e teatrit, kishte provuar edhe padrejtësinë e ashpër. Ishin vitet 1990 dhe kohët kishin ndryshuar, por ajo preferonte të ulej në poltronën e spektatores për të shijuar magjinë, së cilës i fali aq shumë dhe që me siguri do ta shoqërojë në jetë të jetëve.